Studentët shqiptarë në Ura me tri harqe, për një art unik kombëtar
Bashkëpunimi mes shkollave të formimit të lartë artistik sjell në Akademinë e Arteve në Tiranë projektin Art nën tri harqe, në datat 31 Maj deri më 2 Qershor. Një seri performancash artistike, ekspozita të përbashkëta, workshope me protagonistë studentë e profesorë të Universitetit të Prishtinës, Tetovës e Akademisë së Arteve të Tiranës do të zhvillohen,
si një kontribut për një art unik kombëtar me fizionomi dhe strukturë të konsoliduar. Ky është një aktivitet që nisi mbrëmë me ekspozitën në Galerinë e Fakultetit të Arteve Pamore (FAP), përmes një prezantimi të përbashkët të studentëve të arteve pamore, që përcollën këtë ekspozitë nga tre akademitë shqiptare. Pedagogu i arteve pamore dhe murator i ekspozitës Ermir Hoxha, pohon se në këtë ekspozitë marrin pjesë punimet më të mira të studentëve nga atelie të ndryshme. Sipas tij ekspozita Ura me tri harqe prezanton tek publiku mediume të ndryshme te artit. Ekspozita Ura me tri harqe është pjesë e aktivitetit, i cili mbledh punimet më të mira të studentëve të Fakultetit të Arteve Pamore të Tiranës, Akademisë së Prishtinës dhe Fakultetit të Arteve të Tetovës. Janë tre institucione shqipfolëse, të cilët një herë në vit sjellin punimet më të mira të degëve të ndryshme të muzikës, artit skenik dhe pamore për të ndërtuar së bashku aktivitete të ndryshme. Seria e aktiviteteve do të startojë në datën 31 maj me përurimin e kësaj ekspozite dhe nesër fillojmë sërish me një seri aktivitetesh të tjera, të cilat do të startojnë nga mëngjesi deri në pasdite vonë. Do të ketë koncerte, shfaqje filmash me metrazh të shkurtër, po ashtu do të ketë dhe bashkëbisedime me pedagogë të ndryshëm dhe me artistë të ndryshëm, për të vijuar dhe në ditët në vazhdim me po të njëjtin ritëm, tregon pedagogu njëkohësisht dhe kurator i ekspozitës Hoxha. Një seri performancash artistike, ekspozita të përbashkëta, trajnime me protagonistë studentë e profesorë të Universitetit të Prishtinës, Tetovës e Akademisë së Arteve vijnë këto ditë në aktivitetin Art në tri harqe, i cili me larminë e shumë veprimtarive kulturore i shton dhe më shumë gjallërinë jetës kulturore të kryeqytetit. Ekspozita është bashkëpunim i tre fakulteteve të arteve. Për këtë ekspozitë bëhet një përzgjedhje mes punimeve më të mira të secilës atelie pjesë e këtyre fakulteteve, dhe këtu përfaqësohen gati të gjitha atelietë në mediume të ndryshme, pra merren studentët më të mirë të atelieve përkatëse derisa ndërtohet ekspozita. Janë rreth 40 studentë që marrin pjesë, punimet janë rreth 70 dhe janë në mediume të ndryshme si instilacione, printime, tezgjah, grafike, video, punime në mermer, piktura vaji, akuarel, piktura murale, mozaikë etj, tregon kuratori Hoxha. Më tej ai tregon se ky aktivitet synon të kthehet në traditë. Ky është edicioni i dytë, pasi më parë ka qenë dhe vjet dhe u organizua në Prishtinë, që ishte dhe edicioni i parë i këtyre aktiviteteve. Në këtë edicion të dytë bashkëpunimi është zgjeruar dhe ka kaluar edhe tek Fakulteti i Muzikës dhe i Artit Skenik. Vitin tjetër shpresojmë të jetë në Tetovë. Çdo vit do të jetë në një vend, për të paraqitur arritjet më të mira të shkollave, që për një moment të jenë të gjitha bashkë. Ky është një aktivitet ndër më të rëndësishmit të shkollës, veç kësaj kjo të bëhet dhe një traditë, pohon kuratori Ermir Hoxha. Hapja e ekspozitës mbrëmë në galerinë e artit FAP do tia lërë vendin kinemasë. Sot do të shfaqen disa filma me metrazh të shkurtër nga studentët e regjisë së filmit dhe referon mbi dialogun në skenarin e filmit, regjisori Aqif Mulliqi. Ky aktivitet me siglën Art nën tri harqe do të vazhdojë deri më datë 2 qershor.
Nga Julia Vrapi