E Diel, 1 Nëntor 2026

Oleg Arapi: Votim jo i drejtë në Eurovision, derisa mungon juria ndërkombëtare

Festivali Europian i Këngës, jo më një institucion i vlerave të muzikës

Festivali Europian i Këngës, jo më një institucion i vlerave të muzikës europiane, por një lojë politike mes shteteve. Ndarja e çmimeve në Eurovision bëhet në sajë të fqinjësisë së mirë mes shteteve, e cila ka për objekt të saj aleancat dhe miqësitë.

Një këngën nuk vlerësohet më nga mesazhi që përcjell apo vlerat muzikore, por ajo është kthyer në element gare politike. Votimi ashtu si edhe vitet e tjera në Eurovision 2010 ishte politiko-gjeografik. Vendet ish-sovjetike votuan me më shumë pikë për këngët e prezantuara nga këto ish-republika, vendet skandinave i dhanë votën njëra-tjetrës, shtetet ish-jugosllave dhe shumë vende votonin për fqinjët e tyre. Edhe Shqipëria nuk i ka shpëtuar votimit gjeografik. Juria shqiptare i dha pikët maksimale, 12 Greqisë, tetë pikë ia dha Turqisë si dhe dhjetë pikë Gjermanisë. Si shpërblim, fqinjët na kthyen reston sepse Turqia na dha 7 pikë dhe Greqia na dha dhjetë pikë. Juliana Pasha ishte konsideruar në ditët e fundit si këngëtare për tu renditur ndër të parat e këtij festivali, madje doli më e votuara e këngëtarëve të këtij evenimenti në internet. Juliana Pasha, arriti të bëjë për vete publikun e Oslos, të cilët nuk i kursyen duartrokitjet. Veç vokalit të fuqishëm të saj, janë vlerësuar edhe shoqërueset amerikane dhe në veçanti violinisti i njohur Olen Çezari. Një prej emrave më të njohur të muzikës shqiptare njëkohësisht dhe drejtues artistik në Orkestrën e RTSH z. Oleg Arapi pohon se votimi nuk është i drejtë dhe nuk bëhet shumë mbi vlerat artistike, se sa në ato politike në Eurovision. Në një prononcim dhënë për gazetën ai tregon se këngët e festivalit duhet të gjykohen nga një juri, e cila duhet të jetë ndërkombëtare dhe në përbërje të saj të ketë profesionistë të muzikës. Votimi që bëhet në Eurovision nuk është i drejtë. Unë mendoj se të gjykosh këngët duhet të jenë njerëz që merren me muzikën, të jenë specialistë të saj. Nga ana tjetër votimi nuk duhet të jetë nga çdo shtet, por ai duhet të jetë nga një juri ndërkombëtare, ku çdo shtet duhet të çojë një përfaqësues të tij, pra këngët të vlerësohen nga një juri e përbashkët. Kjo them se do të ishte dhe zgjidhja që votimi të mos ishte kaq politiko-gjeografik, thekson Oleg Arapi. Më tej duke folur mbi këtë eveniment të madh të muzikës evropiane, ai tregon se këtë vit Shqipëria pati një përfaqësim dinjitoz në skenën e Festivalit Europian të Këngës, që këtë vit u zhvillua në Oslo, Norvegji. Shqipëria u prezantua denjësisht në këtë festival. Ishte një performancë e shkëlqyer dhe një këngë e bukur në skenën e festivalit, por tashmë dihet ajo se çfarë ndodh në këtë eveniment të muzikës europiane sa i takon votimit, theksoi ndër të tjera ai. Këngëtarja gjermane Lena, ka fituar të shtunën në garën muzikore Eurovision, që është mbajtur në kryeqytetin norvegjez Oslo, ku pjesëmarrëse ishte dhe Shqipëria, që u rendit e 16-ta me pikë. Lena, me këngën e saj Satellite, ka mposhtur në garë 24 garues të tjerë, në mesin e të cilëve ishte edhe përfaqësuesja e Shqipërisë Juliana Pasha, e cila u paraqit me këngën Its All About You, duke ndezur skenën e Oslos, por pavarësisht kësaj nuk arriti të kapte ndonjë pozicion të kënaqshëm. Pas Gjermanisë me 246 pikë në këtë garë është radhitur Turqia me 170 pikë dhe Rumania me 162 pikë. Në këtë kompeticion të madh, Shqipëria mblodhi vetëm 62 pikë. Eurovision është një konkurrim ndërkombëtar muzikor, i cili zhvillohet çdo vit qysh prej vitit 1956. Në këtë eveniment marrin pjesë kryesisht vendet anëtare të Bashkimit Europian të Radio-Televizioneve (EBU), së cilës i përkasin edhe disa vende aziatike dhe afrikane si Izraeli, Turqia dhe Maroku. Për këtë qëllim çdo shtet pjesëmarrës ka të drejtën të prezantojë një këngë në këtë festival muzikor. Konkursi ndërkombëtar, që përbëhet nga gjysmëfinalja dhe finalja, zhvillohet sipas rregullit në vendin e fituesit të vitit të mëparshëm


Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›