Nickola Shreli: Do realizoj një film për Kosovën

I lindur nga dy prindër shqiptarë, babain nga Velipoja dhe nënën nga Ulqini, Nickola Shreli, një aktor me famë në Hollywood, i cili deri më tani nuk ka qenë edhe aq i njohur për Shqiptarët në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi, ka zgjedhur pikërisht 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë që të vizitojë trojet shqiptare.
Shreli, me 28 nëntor, bashkë me këngëtarin e grupit “Kthjellu”, Mentor Haziri do të bëjnë edhe hapjen e koncertit festiv që është organizuar në Tiranë, ku pas tyre menjëherë do të performojë këngëtarja kosovare me famë botërore, Rita Ora.
Protagonisti kryesor i filmit “Hostel III”, i cili ka një ngjashmëri fizike shumë të madhe me aktorin Vin Diesel, Nickola Shreli në një intervistë për Indeksonline, ka shprehur entuziazmin e tij për Kosovën dhe popullin e saj, e të cilat është duke i parë për herë të parë.
“Është vetëm rastësi, është hera e parë që jam në Kosovë dhe është e mrekullueshme. Vërtetë më pëlqen energjia dhe është e veçantë të shohësh njerëzit e tu së bashku, këtu të gjithë janë së bashku, është interesante. Nesër do të shkoj në Tiranë, dhe kudo që më thonë do të shkoj, kam disa miq që kanë ardhur këtu dhe unë pranova ftesën të vij”, ka thënë Shreli për Indeksonline.
Shreli ka përmendur edhe rastin e luftës së Kosovës, duke u impresionuar me punën dhe rimëkëmbjen e popullit të Kosovës për një kohë të shkurtër, siç e quajti ai. Shreli, ka në planë që në të ardhmen të realizoj një film për Kosovën sepse sipas tij, Kosova ka ende për të rrëfyer.
“Ende mendoj se rrëfimi i madh nuk ka dalë nga këtu, është ëndrra ime ta bëjë një film me regjisorë amerikanë dhe shqiptar, me njerëz këtu, shpresoj që do Zoti të bëhet realitet dhe të bëjë diçka këtu, dua ta bëjë në Kosovë dhe në mënyrën e duhur”, ka theksuar Shreli, duke u mbështetur në fjalët e mamasë së tij e e cila e kishte porositur që mos ta harroj prejardhjen e tij.
E për Shrelin, nuk kanë rëndësi edhe aq shumë çmimet:
“Nuk më pëlqejnë çmimet, s’mendoj se puna duhet të bëhet për një çmim “Oscar”. Nuk pajtohem me çmimet, artin s’mund ta shpërblesh."
Shreli, për Indeksonline, ka deklaruar po ashtu se është shumë krenar që është shqiptar.
“Jam 100 për qind shqiptarë dhe ndihem shumë krenarë për të”, ka thënë Shreli./D.H/Indeksonline/