E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urimi i Vaçe Zelës

Me zërin e ëmbël, ashtu si e mbajmë mend në këngët e kthyera në himne, me qetësinë që e karakterizuar gjithnjë, Vaçe Zela uron: "Shqipëri, nga mot më mirë!"
Prej vitesh larg atdheut, këngëtarja që i këndoi më shumë se kushdo vend-lindjes, ka dhënë një mesazh për vëllezërit e saj kudo që ndodhen.

"Unë kam shumë emocione. Ju përcjell falenderimet e mia më të ndjera dhe mirënjohjen time më të thellë për faktin që më kujtoni e që nuk më keni harruar", thotë per "GSH" ikona e këngës shqiptare.

 "Meqë ju më dhatë rastin, kam dëshirë që t'iu uroj bashkëkombësve, kudo që ndodhen në të katër anët e rruzullit dhe në mënyrë të veçantë atyre që e festojnë këtë festë larg atdheut, Gëzuar Festën e Flamurit", thotë Zela.

Këngëtarja, që sot mban mbi supe plot 73-vite, dëshiron të përcjellë urimet më të mira. "Dua Shqipërinë ta shoh siç është dhe nga mot më mirë!", e mbyll ajo mesazhin për festën e madhe. E cilësuar si zëri i artë i Shqipërisë, ikona e shenjtë dhe mbretëresha e këngës shqiptare, ajo u kthye në legjendë që në moshë të re. Me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj të pavdekësisë, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut. Këngët e saj në vite mbeten popullore dhe të preferuara edhe sot nga publiku. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992. /Indeksonline/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›