E Shtunë, 31 Tetor 2026

Niebel: Këshillova Berishën dhe Ramën për dialog

Ministri federal gjerman për zhvillimin, Dirk Niebel insistoi dje se ritmet e afrimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian varen nga dialogu politik. “Në bisedat që zhvillova me kryeministrin Sali Berisha dhe liderin e opozitës Edi Rama i këshillova që të rihapin sa më parë dialogun politik. Afrimi me BE-në është një proces, ku rëndësi nuk ka vetëm zhvillimi ekonomik, por edhe përvetësimi i kulturës politike europiane, i vlerave të saj. Dialogu politik është pjesë e këtyre vlerave, i vlerave të komunitetit të BE-së, ku Shqipëria aspiron të anëtarësohet. Në këtë kuptim, dialogu politik e çon Shqipërinë drejt të qenit edhe ajo pjesë e vlerave të këtij komuniteti”, u shpreh Niebel në një intervistë për “Dwelle” në ditën e dytë të vizitës në Tiranë. Në vlerësimin e zyrtarit gjerman, BE-ja nuk është vetëm një komunitet ekonomik, por në radhë të parë një komunitet vlerash. “Dhe për të qenë pjesë e tij, një ndër kushtet paraprake është bashkëpunimi mes forcave politike, bashkëveprimi mes qeverisë dhe opozitës. Natyrisht, të dyja palët duhet të gjejnë rrugët dhe mënyrat për të bashkëpunuar”, tha Niebel. I pyetur nëse vizita a nënkupton edhe një sinjal inkurajues për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, Niebel u përgjigj se tërësia e sfidave që Shqipërisë i është dashur të përballojë që të vazhdojë procesin e përafrimit me BE-në, e kanë sjellë Shqipërinë në një pozicion të tillë, që të dëshmojë për një përparimin të spikatur ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë integrimin europian. “Vizita ime në Tiranë është një sinjal inkurajues për thellimin e bashkëpunimit dhe pjesëmarrjen e investitorëve privatë gjermanë dhe rivendosjen e dialogut politik. Pra, Gjermania ka vullnetin politik të vazhdojë bashkëpunimin ekonomik përmes projekteve për zhvillim”, u shpreh Niebel.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›