Topi dekoron me “Medaljen e Mirënjohjes” komunën e Barit
Gjatë vizitës në Itali kreu i shtetit shqiptar Bamir Topi nderoi Komunën e Barit me “Medaljen e Mirënjohjes” me motivacion për solidaritetin e rrallë dhe përkrahjen e pakufishme që i dhanë në momente të vështira dhe dramatike, 20 vjet më parë, mijëra qytetarëve shqiptarë që mbërritën në Portin e Barit, në kërkim të një jete më të mirë.
Në takimin e zhvilluar me Kryebashkiakun Emiliano dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak të Barit, Presidenti Topi i kushtoi një rëndësi të veçantë faktit se një ndër pikat kryesore të lidhjeve historike të Shqipërisë me Italinë është pikërisht qyteti i Barit dhe Rajoni i Puljas ku është konsoliduar një marrëdhënie e fortë tradicionale miqësie mes dy popujve, e cila kapërcen çdo kufi e paragjykim. Një vlerësim të posaçëm, Presidenti Topi e bëri për bashkësinë shqiptare që jeton në këtë qytet, e cila kanë dëshmuar vlerat më të larta qytetare, duke u integruar me dinjitet e korrektësi në fusha të ndryshme të jetës dhe veprimtarisë shoqërore të këtij rajoni. Kryetari i Shtetit vuri në dukje se “ky integrim nuk do të kishte qenë i mundur pa mikpritjen dhe bujarinë e vetë qytetarëve italianë si dhe pa mbështetjen e vazhdueshme të autoriteteve italiane, të cilët iu gjendën pranë shqiptarëve në ditë të vështira të jetës së tyre, duke dëshmuar edhe një herë lidhjen e fortë tradicionale që ekziston mes dy vendeve dhe popujve tanë”, theksoi Topi. Presidenti Topi dhe Zonja e Parë së bashku me delegacionin zyrtar shqiptar vizituan ekspozitën fotografike “Portrete shqiptarësh – Dritë dhe hije” të çelur me rastin e 20-vjetorit të zbarkimit të emigrantëve shqiptarë në brigjet e Italisë.