Nigeri, 11 të vdekur në një miting

11 persona kanë mbetur të vdekur, pasi janë shtypur në një miting elektoral në Nigeri. Mitingu mbahej në qytetin jugor të Port Harcourt, për fushatën elektorale të presidentit Goodluck Jonathan, për zgjedhjet e Prillit. Ndërsa 29 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë nga ky miting, i cili u mbajt në stadiumin e qytetit.
Presidenti ka kërkuar një hetim për këtë incidentet që ai e cilësoi si të pafat dhe për të ardhur keq duke shtuar se bashkohet me vuajtjen e familjarëve që humbën jetën. Turma u friksua për shkak se një polic qëlloi në ajër për të shpërndarë turmën e cila ishte grumbulluar përpara portës së stadiumit, pas përfundimit të takimit elektoral. Dëshmitarët e kanë përshkruar ngjarjen si tragjike dhe të rëndë, ndërsa shikonin njerëzit që shtypeshin nga turma.
" Është e trishtueshme, që të mbarojë kështu, një ditë e nisur mirë" ka deklaruar një qytetar. Ndërsa policia nigeriane e paktë në numër e ka pasur të pamundur që të menaxhojë situatën. Presidenti Jonathan, hapi në fillim të kësaj jave fushatën e tij elektorale. Ai i përket partisë Demokratike Popullore, e cila ka fituar zgjedhjet presidenciale në që prej vitii 1999 dhe është serish favorite për zgjedhjet e muajit prill. Nigeria është shteti më i populluar në kontinentin afrikan me 150 milionë banorë.