Nigeria e njohu Kosovën
(E plotësuar) Zv. Kryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, i cili gjendet aktualisht në Afrikë, në kuadër të angazhimeve lobuese, për njohje të reja për shtetin e Pavarur të Kosovës, njofton se sot, Republika e Nigerisë, pas shumë debateve të brendshme, ka marrë vendim për të njohur Republikën e Kosovës, si Shtet të Pavarur dhe Sovran.
Zv. Kryeministri i parë i Kosovës, z. Behgjet Pacolli gjatë angazhimeve për njohje të reja, ka zhvilluar një aktivitet të gjatë lobues në Nigeri. Ai ka vizituar 3 herë ketë shtet në të kaluarën dhe i ka mbajtur vazhdimisht të informuara autoritetet Nigeriane për zhvillimet demokratike në Kosovë, veçanërisht pas shpalljes së Pavarësisë.
Zv.Kryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, thekson se njohja nga Nigeria është e rëndësisë së veçantë edhe për faktin se ky vend ka një ndikim të jashtëzakonshëm në këtë pjesë të Botës.
Nigeria është një shtet me rreth 140 milion banorë.
Z. Pacolli takon Presidentin e Afrikës së Jugut, z. Jacob Zuma
Z. Behgjet Pacolli gjatë këtij turneu lobues, ka vizituar Afrikën e Jugut, ku ka marrë premtime nga Presidenti i këtij vendi, shkëlqesia e tij, z. Jacob Zuma, se Afrika e Jugut do ta procedoj me prioritet njohjen e Kosovës si shtet të Pavarur dhe Sovran.
Angazhimet lobuese të zv.Kryeministrit të parë të Qeverisë së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, për njohje të reja, do të vazhdojnë në Republikën e Namibis, të Angolës dhe Tanzani.