E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nigeria njohu Kosovën

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka thënë se Republika e Nigerisë e njeh Kosovën. Ai tha se ka marrë konfirmim nga Presidenti i Afrikës Jugore se edhe ky shtet do ta njohë Kosovën. Nga Express më 13 shtator 2011 në ora 08:23

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka deklaruar të hënën në mbrëmje se Republika e Nigerisë ka marrë vendim për njohjen e Kosovës.

Ky shtet afrikan ka mbi 216 milionë banorë.

“Pas një debati të ashpër që është zhvilluar në Ministrinë e Jashtme të këtij shteti, sot ata e kanë formalizuar njohjen për Kosovën, siç ka rekomanduar ditë më parë Presidenti i këtij vendi”, ka thënë Pacolli.

Gjatë një prononcimi për RTK, Pacolli tha se ka marrë lajme të mira edhe nga Afrika e Jugut, ku është takuar me Presidentin e këtij shteti, Jacob Zuma.

Zëvendëskryeministri Pacolli pret që edhe ky shtet i madh afrikan ta njohë pavarësinë e Kosovës shumë shpejt.

“Presidenti Zuma më ka garantuar se menjëherë do të nisë procedurat formale për njohjen e Kosovës ndërsa ai më ka ndihmuar duke më aranzhuar edhe dy vizita tjera. Njërën në Angola dhe tjetrën në Tanzani. Unë të martën do të qëndrojë në këto dy shtete dhe pres lajme të mira nga to, sepse ato kanë marrë sugjerime nga Presidenti Zuma që të lëvizin drejt njohjes së Kosovës”, ka thënë Pacolli për Express.

Turneu i katërt lobues i Zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli në Afrikë, ka sjellë rezultatet e para, edhe pse nota verbale ende nuk janë dërguar në adresë të MPJ’së.

“Unë të mërkurën do të kthehem në Nigeri për të takuar sërish përfaqësuesit më të lartë dhe për të marrë notën verbale që ata sot e kanë formalizuar”, ka thënë Pacolli.
Ai duke kujtuar fjalët që i ka marrë nga nikoqiri në Afrikën Jugore, tha se ka qenë zyrtari i parë i Kosovës që ka biseduar me autoritetet e këtij vendi për njohjen e pavarësinë e Kosovës.

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli po vazhdon lobimin në Afrikë, ndërsa ditëve të ardhshme pritet të vizitojë edhe një numër shtetesh që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›