E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori Dell ‘mësit’ i PDK-së tek AAK-ja

Nga Express më 12 shtator 2011 në ora 16:02

“Kërcënimi” që Partia e Drejtësisë, e cila është pjesë e Koalicionit për Kosovë të Re, i ka bërë partnerit të koalicionit, PDK-së, për mundësinë e daljes nga qeveria, mund të jetë një lajm i mirë për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, e cila pas zgjedhjeve përjashtonte çdo mundësi të koalicionit me PDK-në, përderisa tani ka zbutur qëndrimin në këtë drejtim.

Burime të Kosovapressit kanë bërë të ditur se brenda AAK-së, tashmë kanë nisur llogaritjet për ndarjen e posteve në kuadër të Qeverisë së Kosovës, si pjesë e një koalicioni të ri që mund të arrihet ndërmjet PDK-së dhe AAK-së.

Sipas këtyre burimeve, edhe vizita e ambasadorit amerikan në Kosovës, Kristofer Dell në selinë e AAK-së të hënën, ishte në shërbim të këtij qëllimi.

Sido që të jetë, vetë ambasadori Dell ka thënë se vizita ishte një kontakt i zakonshëm me AAK-në, sikur me secilën parti politike që vepron në Kosovë.

“Ky ishte vetëm një nga kontaktet e zakonshme dhe të vazhdueshme, të cilat i kemi me AAK-në për të biseduar për çështje të ndryshme politike, çështjet e legjislacionit, çështjet ditore, të cilat kanë të bëjnë me përditshmërinë. Kjo është pjesë e punës së zakonshme me partitë politike që veprojnë këtu”, ka thënë Dell pas takimit me nënkryetarin e AAK-së, Blerim Shala dhe zyrtarët tjerë të kësaj partie.

Ndërsa Blerim Shala ka mohuar të jetë diskutuar për mundësinë e hyrjes së AAK-së në koalicion me PDK-në, nëse Koalicioni për Kosovë të R del nga koalicioni, por për dallim prej deklaratave të mëhershme, tani Shala ka thënë se AAK-ja është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha partitë për interes të vendit.

“Ne këtë debat e kemi pasur edhe më herët, e kemi marrë një vendim, kështu që asgjë të re në këtë drejtim nuk ka. Gjithsesi sa u përket interesave shtetërore ne bashkëpunojmë me të gjitha partitë politike. E kemi thënë në Kuvend pozicionin tonë për të gjitha temat e rëndësishme. Ne natyrisht jemi të bindur që integriteti i Kosovës duhet të garantohet në veri, që për të gjitha temat tjera ku kemi interes të përbashkët, duhet të diskutojmë së bashku dhe të marrim vendime së bashku”, ka thënë Shala.

Sidoqoftë, burimet e besueshme brenda AAK-së, kanë bërë të ditur se ka nisur afrimi i partisë së tretë opozitare me partinë më të madhe në vend, PDK-në, sidomos pas paralajmërimeve që kanë ardhur nga tabori Koalicioni për Kosovë të Re, përkatësisht Partia e Drejtësisë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pas zgjedhjeve të fundit ka qenë partneri më i preferuar i Partisë Demokratike të Kosovës, mirëpo disa prej zyrtarëve më të fuqishëm të AAK-së, kanë qenë këmbëngulës që të ketë koalicion të gjerë ndërmjet PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

Mbetja në opozitë si partia e tretë opozitare në Kuvendin e Kosovës, duket se e ka ‘kthjellur’ AAK-në, e kjo nuk ka lënë pa u vërejtur as nga PDK-ja, e cila pavarësisht kërcënimeve të deputetëve të Partisë së Drejtësisë për zvogëlimin e numrave të koalicionit, duket të mos jetë e shqetësuar, ngase llogarit në mundësinë e koalicionit me AAK-në.

Ndryshe, disa prej deputetëve të Partisë së Drejtësisë kanë kërcënuar se do të dalin nga koalicioni, nëse edhe më tutje vazhdon mosimplementimi i kërkesave të Partisë së Drejtësisë për futjen e lëndës fetare dhe lejimi i përdorimit të shamisë në shkollat publike. (Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›