E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nihilizmi, lëngatë e mëkatarëve të dëshpëruar

Veçanërisht mëkatarët duhet të lëngojnë. Të vuajnë nga vrasja e ndërgjegjes. Të pendohen. Të mos gjejnë qetësí për ligësítë e kryera në diktaturë. Vepra e keqe nuk pajtohet me të mirën, ashtu si mëkatarët e papenduar nuk i durojnë sukseset e demokracísë. Mëkatari lëngon, kur sheh sukseset e saj. Ai vuan jo vetëm pse ndihet i poshtëruar që i ka shërbyer një ideali çnjerëzor, por edhe ngaqë çdo përparim i vendit i kujton kohën, që i bëri njerëzit të hiqnin të zitë e ullirit. Mirpo mëkatari i papenduar vazhdon t’i urrejë viktimat e tij. Duke qenë në luftë me veten, ai është në luftë sot edhe me progresin. Ai ka krizë të brendshme morale. Ai tenton t’i fshihet vetes. Por, meqë është pajtuar me veprën e keqe, shan e mallkon të lumturuarit prej demokracísë. Ai përbuz gjithçka që ia ul vlerat sistemit, të cilit i shiti shpirtin. Mëkatari është kundër demokracísë, edhe pse ndodh që flet mirë për të. Madje, ka mëkatarë, a bij mëkatarësh, që e shpallin veten dhe si korifej të demokracisë. Ndaj, për t’ia ulur kësaj vlerat, e krahasojnë me shtete me nivele të larta demokratízimi. Dëshpërími prej mëkatit të kryer i shtyn të hedhin baltë mbi çdo sukses të kundërshtarit politik. Mesazhi i tyre i urrejtjes synon të krijojë nostalgji për sistemin e “kopaçes”, të urisë e të “gërnetës”. Ata dhe korrupsionin e zhvillojnë jo vetëm për t’u pasuruar. Ata synojnë të krijojnë idenë se demokracía ka shumë më tepër të meta e dobësí se komunizmi, i cili, sipas tyre, na paska qenë sistemi ideal i demokracisë. Megjithatë, askush nuk ka thënë që dhe demokracia nuk ka të meta. Sidomos taní, në fillimet e saj. Por mundësítë e pakufizuara të zhvillimit që ajo krijon, e bëjnë të adhurueshme edhe për njerëz, që u mashtruan dje nga propaganda false komuniste. Sepse demokracía është aq humane, sa nuk ua mbyll rrugët e pasurímit as atyre, që tërë jetën vetëm shanë e mallkuan kapitalizmin. Por është paradoksale kur mendon që janë pikërisht këta miliarderë të ngarkuar me një thes mëkatesh, që jo vetëm nuk i shohin me sy të mirë sukseset e mazhorancës, por shpifin kundër saj një mijë e një të zeza. Mos vallë kjo u shërben për t’u “çliruar” nga makthi i asaj lëngate, që u shkakton dështimi i sistemit, që u dha privilegjet e pamerituara ? Një analizë e thelluar, e shpjegon shkakun pse mëkatarët e dëshpëruar nuk mund të durojnë progreset e demokracisë. Ata ndiejnë dhimbje, kur shohin hapjen e Shqipërísë, barazimin e njerëzve para ligjit, sidomos të viktimave të tyre të djeshme. Ata pikëllohen tek vënë ré se si po afrohet dita, kur shqipëría do të aderojë në Europën e Bashkuar. Se, si mund të durojnë mëkatarët e djeshëm që njerëzit e nëpërkëmbur prej tyre të shkojnë sot lirisht në vendet, ku lulëzon respekti për të drejtat e individit ? Si mund ta përballojnë këta dhimbjen që ndiejnë, kur shohin që njerëzit më fisnikë e më paqësorë të Shqipërísë, të nëpërkëmbur dje prej tyre për shkakun e simpatísë së shprehur për Europën e Bashkuar, të shkojnë sot atje si në shtëpínë e tyre ? Jo! Mëkatarët e papenduar, sidomos ata që kanë gëzuar prej diktaturës privilegje të mëdha, nuk pajtohen me progresin, me mundësítë e barabarta, me pasurimin e atyre, që ishin detyruar t’u ishin “mirënjohës” xhelatëve vetëm pse këta i linin gjallë. Nihilizmi është një sëmundje e ambiciozëve, cmirëzinjve, e gjithë atyre që pranojnë më mirë të mos kenë as vetë pasurí, veç të shohin në mjerim kundërshtarët e tyre. Ndërsa sot, të rënë në dëshpërím, këta mëkatarë ndihen edhe më të pikëlluar. Prandaj “çlirohen” prej makthit vetëm duke mohuar, duke shpifur e duke trilluar kundër çdo suksesi të demokracísë. Ndoshta prandaj bijtë e “bllokmenëve” dhe gjithë “aristokracia” e gjëmave të djeshme nuk mendojnë për alternativa zhvillimi, a për projekte efektive progresi, me të cilat do të mund të lanin një pjesë të mëkateve të tyre. Prandaj trillojnë duke vajtuar si kukuvajka për fatin e mjerë të një populli, që po ecën me shpejtësí në rrugën e ndryshimeve të mëdha, plot dritë. Mëkatarët e dëshpëruar nuk mund të kënaqen me përparímin e vendit, sa kohë që ky përparím nuk u siguron shlyerjen e mëkateve te djeshme, fshehjen e pasurive të sotme të grabitura. Nuk mund të pritet një fjalë e mirë nga ata, që e mbajtën popullin në mjerim për dekada të tëra, madje, që e detyruan të duartrokiste për lumturinë e mjerimit dhe lirinë e “dajakut”. Këta mëkatarë të dëshpëruar doemos do të mohojnë çdo sukses, do të nxijnë çdo realitet të rí, me qëllim që njerëzit të mendojnë se pikërisht nga ky zhvillim po u vjen e keqja, mjerimi, prapambetja, errësíra, “skllavëría”(!). Duke qenë, pra, në krizë me veten, mëkatarët e dëshpëruar të diktaturës e kanë humbur ekuilibrin moral dhe nuk shohin se si edhe njerëzit e tyre, edhe krerë të partisë së tyre po qeshin me hidhërim me këtë fatalitet, që u ka pllakosur mbi partinë.
Nuk është e vështirë të dallohet se lidershipi i P.S.-së me Ramën në krye dhe bijtë e “Bllokut” për rreth po përjetojnë sot epilogun e krizës më të thellë të një dëshpërími fatal! Dhe nuk kanë për t’i shpëtuar këtij bumerangu, për sa kohë nuk do të gjejnë forca të mohojnë të kaluarën komuniste dhe të mallkojnë atë “barazí në mjerim”, me të cilën mashtruar një popull kaq të sinqertë. Janë këta të dëshpëruar e në krizë morale, që besojnë se Shqipëría ka sot “ngërçe” e kriza të gjithanshme. Dhe kjo në një kohë, kur gjithë bota po thotë për Shqipërínë fjalët më të mira. Zoti i ndihmoftë të dalin nga ky qerthull qesharak e tragjik, ku i ka futur mëkati i djeshëm dhe ambicia e sotme, me të cilat përpiqen të sigurojnë përsërí “parajsën” e krimit, të gënjeshtrës dhe të hajdutërísë masive!... Kurse mazhoranca, ndonëse e di se sa e vështirë është t’i bindësh mëkatarët e dëshpëruar të mos jenë nihilistë, vazhdon t’u bëjë thirrje të shpëtojnë në rradhë të parë veten, duke u çliruar nga makthi i zullumeve të djeshme nëpërmjet përqafimit të rrugës së bashkëpunimit, të konsensusit, të reformave, që janë dhe mënyra më fisnike për ringjalljen e tyre!...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›