Rishfaqet Mozi, fanatiku i kutive me skenar revolucionar
Takimi i xhumasë që gjer sot ishte monopol i imamit socialist Edi Rama, i është dhënë me prokurë të veçantë numrit dy të partisë soc-komuniste, myhibit Gramoz Ruçi, i cili i bëri thirrje maxhorancës që me fillimin e muajit shtator të angazhohet për zbardhjen e transparencës së zgjedhjeve të 28 Qershorit, të një viti më parë. Transparenca, nënvizonte shoku Gramoz duhet të përmbajë fletët e votimit, në të kundërt shtoi ai, kryetarja e Parlamentit ose e presidentit (duke parë afrimin për “Rrugën e Paqes” së Topit dhe Ramës) le t’i drejtohet një arbitri ndërkombëtar, siç është Komisioni i Venecias.
Mirëpo kjo dalje për shtyp përben siglën e një dështimi politik, si dhe dëshmon patjetër kotësinë e gjithë asaj zhurme njëvjeçare që i kushtoi jo pak imazhit të vendit. Pse ato që kërkohen sot nga PS-ja kanë qenë ofruar të gatshme që në shtatorin e 2009-s dhe socialistët po na i paraqesin si probleme të reja fringo dhe që u janë mohuar më parë. Por kjo është e pavërtetë. Mjafton të kesh pak kujtesë ose për të kontrolluar gjithçka mjafton të shkosh në Bibliotekën kombëtare në fondin e gazetave të shtatorit 2009 për të lexuar propozimet e maxhorancës në lidhje me transparencën. Loja e gjatë dhe e lodhshme mbaroi sepse qëllimi i Ramës ishte padyshim rizgjedhja e tij si kryetar i Partisë Socialiste. Investimi i biznesmenëve të pallateve nuk mund të përfundonte me një humbje. Edi Rama ua kishte borxh pushtetin dhe ky arrihet vetëm me pasjen në dorë të bashkisë dhe të partisë. Dhe kjo nuk do as mend dhe as kalem për ta kuptuar.
Ndërkaq fanatiku i kutive Ruçi ka kërcënuar se opozita në shtator mund të hidhet në protesta duke vënë në zbatim skenarin rezervë revolucionar. Ky skenar konsiston me shumë gjasa qysh me hapjen e sesionit parlamentar, kur opozita të kërkojë dorëheqjen e qeverisë Berisha, për t’u futur në zgjedhjet lokale ose bllokim total i rrugëve me protesta. Dihen kushtet e opozitës kundrejt maxhorancës, porse gjasat janë aspak të volitshme për t’u ulur në tryeze, edhe njëherë të dyja palët. Skenari radikal i PS-së është që të bllokohet puna në të gjitha komisionet parlamentare, ku mendohen dorëheqje kolektive të kryetarëve të bashkive e komunave socialiste, duke bllokuar punën e të gjithë pushtetit vendor dhe më pas, me protesta do të paralizohen rrugët e sheshi “Dëshmorët e Kombit” në Tirane deri në dorëheqjen e kryeministrit. Të fortët e PS-së thonë nëpër kafene se në muajin tetor e gjithë opozita do të shkojë në Bruksel për të denoncuar lojën e rrezikshme të kryeministrit Berisha dhe paralajmërimin për një destabilizim të vendit, duke e lënë fajin kopil.
Por meqenëse muaji gusht është krejtësisht muaj pushimesh në Europë e ku asnjë institucion nuk punon për vendimmarrje, duket se vetëm nga mesi i shtatorit do të kuptohet qëndrimi ndërkombëtar për Statusin e kandidatit në BE dhe dhënien e ok-ejit simbolik për liberalizimin e vizave në fund të nëntorit, si një reflektim për gjendjen e politikës shqiptare.
Sidoqoftë, edhe pse kaluan më shumë se një vit pas zgjedhjeve e kjo qeveri ka dëshmuar me mijëra herë se është e aftë dhe pozitive përkundër kundërshtimit dhe minimit konstant të opozitës socialiste me protesta, bllokime rrugësh dhe greva të pavenda urie. Përtej pakënaqësisë frustruese socialiste, Bashkimi Evropian i ka vlerësuar reformat dhe ndryshimet e jashtëzakonshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare për modernizimin e vendit dhe integrimin në BE, përfshirë këtu arritjen e shumicës së standardeve ndërkombëtare në zgjedhjet e 2009-s dhe në mënyrë të veçantë për reformat në procesin e përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave dhe integrimin e vendit.