E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD kërkon ndalimin e ngritjes së qytetit privat të Edi Ramës tek Liqeni

Deputetët Flamur Noka dhe Luçiano Boçi, në deklarata të veçanta kanë kërkuar të kryhet transparencë edhe për shifrat e korrupsionit Rama-Lepri si dhe për denoncimet publike që kanë kryer ndaj kryebashkiakut biznesmenët Hajredin Fratari dhe Dodë Doçi


Partia Demokratike ka vijuar sot sërish me akuzat për korrupsion me lejet e ndërtimit ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Deputeti i PD-së, Flamur Noka, tha në një deklaratë për mediat se janë të shumtë biznesmenët dhe politikanët që kanë akuzuar kreun e Bashkisë për korrupsion dhe se ai duhet të japë sqarime për këto denoncime. “Si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i kërkoj z.Edvin Rama të zhdukur në drejtim të paditur, dil nga vrima e lepurit e përgjigju akuzave të ngritura nga firmat e ndërtimit”, tha Noka. Ai ka përmendur faktin se biznesmeni Dodë Doçi e ka akuzuar publikisht kreun e Bashkisë se i ka kërkuar 20% për një leje ndërtimi. “Ndërtuesi Dine Fratari të ka paditur publikisht për gjobën prej 1 milion dollarësh që e kalon vlerën e 20% që ti vetë z. Edvin Kristaq Rama i ke vënë këtij ndërtuesi të njohur. Përgjigju!”, u shpreh sot Noka. Nga ana tjetër ia ka përmendur dhe faktin se në media është denoncuar se “në këmbim të futjes së Tan Leprit si aksioner, ti (Rama) premtoje dhënien e lejes së ndërtimit”. Noka është ndalur dhe në akuzën që ka bërë më së fundi deputetja e PD-së, Albana Vokshi. “Deputetja Vokshi të ka akuzuar se firma “Vizion Construction” është detyruar të fusë si aksioner me 20% mikun tënd, Dritan Avllaj, i njohur si Tan Lepri. Përgjigju! Kjo firmë ndërtimi të akuzon se ky 20% vetëm për këtë rast vlen jo më pak se 100 milion euro. Përgjigju!”, u shpreh deputeti Noka.


Edhe Luçiano Boçi, në një deklarim të sotëm për mediat, i ka kërkuar Edvinit që të zbardhë shifrën e aferës së tij me Tan Leprin, për të cilën tashmë duhet të interesohet edhe Prokuroria e Tiranës. “Partia Demokratike ka kërkuar sot nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama që të zbardhë aferën korruptive me biznesmenin Dritan Avllaj, të njohur ndryshe me emrin Tan Lepri. Me modelin e fundit të aplikuar për konferenca nga PD-ja dhe PS-ja, deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi bëri një sërë pyetjesh publike në të cilat kërkohet përgjigje nga kreu i PS-së për pasurinë e tij dhe aferat korruptive. “A është 4 mijë numri i apartamenteve që do të ndërtohen? Nqs e shumëzoni me 20%, sa i bie të dispononi ju z.Rama? Sa milion euro konvertohet 20% i aferës së qytetëzës tek liqeni?”, deklaroi deputeti Boçi. Ai u shpreh se, si deputet i mazhorancës do të kërkojë që projekti i bërë për ndërtimin e pallateve te Kodrat e Liqenit të mos bëhet. “I kërkoj Berishës të gjejë hapësira ligjore dhe të zhbëjë këtë aferë të Edvin Leprit”, tha Boçi, pak minuta më parë në një konferencë për mediat.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›