Vëllazëria okulte e lepujve që po sakatojnë kryeqytetin
Një ditë pas publikimit nga Ministri i Energjetikës, Dritan Prifti të koncesioneve për HEC-et mbi lumin Kardhiq, Tau Balla, deputet socialist e pronar kazinosh doli nëpër media me një komunikatë. Një komunikatë socialiste e denjë për komunikatat denoncuese komuniste, sigurisht pa fakte e pa prova. Veç hamendësime. Nuk ka fakte për procedim penal sepse në koncesionin për shfrytëzimin e lumit Kardhiq, kontrata është lidhur brenda të gjitha rregullave dhe normave ligjore në fuqi, ashtu siç janë firmosur edhe mjaft kontrata të tjera koncesionare me investitorë të ndryshëm në vend. Asnjë ekspert nuk ka dalë për të përforcuar akuzat e socialistëve pasi shkeljet në kontratë nuk ekzistojnë.
Problemi i socialistëve është se duan të bëjnë një kod procedure morale. Por me luftën e moralit Partia Socialiste nuk ka shanse të përfitojë kapital politik. Si rrallherë tjetër në 20 vitet e fundit, socialistët jo vetëm akuzohen, por provohet me letra e firma për dhënie leje pallatesh në zona publike agjentit të tyre promocional “Tan Lepri”, që për paradoks nuk do bar jeshil, por hekur e çelik. Një betonizim i paprecedentë në toka “ish”-pronarësh, që në fund të fundit mbeten të vetmit pronarë legjitimë.
Siç mund ta keni kuptuar vite më parë ata që e kanë ndjerë drejtpërsëdrejti barrën e modelit "Lepuri", kanë qenë ndërtuesit e kryeqytetit. Njëri ndër ta ka qenë përfaqësuesi i biznesit të ndërtimit, Hajredin Fratari, i cili ka akuzuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës, se i ka kërkuar 1 milion dollarë për një leje ndërtimi.
Sidoqoftë publikimi i kontratës së bashkëpunimit nga deputetja Albana Vokshi tregoi qartë procedurat se si kryetari i Bashkisë së Tiranës infiltron brenda firmave të ndërtimit sekserët e tij për të përfituar 20 përqind të vlerës së një objekti në këmbim të lejes së ndërtimit.
është kryebashkiaku socialist, Edi Rama sponsorizuesi më i madh i Shqipërisë post-komuniste që pa kriter urbanistik, arkitektonik dhe estetik ka lejuar gjullurdinë në emër të “vëllazërisë” okulte të sakatimit të kryeqytetit. Janë firmat e ndërtimit socialist me pronar Koço Kokëdhia, Tan Dulaku, Fidel Ylli, Arjan Leskaj, Tan Lepri, Dash Peza, Sadri Abazi që janë aksionarë në stresin e çmimeve të apartamenteve në Tiranë. Këta ndërtues që kanë zaptuar, në mënyrë të paligjshme hapësirat e qytetarëve njëkohësisht janë edhe pronarë mediesh të mëdha, që bëjnë lobing dhe spondë politike të përditshme kundra qeverisë. Shtypi i këtyre bosëve të ndërtimit dhe kullave në Tiranë bën terrorizëm psikologjik me lajmet anti-qeveritare. Dhe informacionet shqetësuese që përcjellin deputetët demokratë të Tiranës për mega-projektin e shkatërrimit të së vetmes zonë të gjelbër të mbetur pranë Liqenit të Tiranës, ku Edi Rama ka planifikuar një shtesë qyteti me 30 pallate, të mbiquajtura “Tirana Rock”, me kod U12-07 e parashikuar për 130 mijë m2 ndërtim, e në një lartësi prej 30 katesh, është masakra e fundit urbane e kryebashkiakut, në zonën më të bukur të kryeqytetit. Projektimi i këtij qyteti privat rrezikonte privimin e qytetarëve edhe nga e vetmja hapësirë e gjelbër që i kishte mbetur. Oreksi u është shtuar edhe më shumë pas harxhimit të energjive me protesta e greva urie. I ardhur prej 9 vjetësh në krye të bashkisë së Tiranës, pasi mbylli aksionin e prishjes së kioskave, që kishte nisur paraardhësi i tij, Edi Rama kishte gjithë terrenin e mjaftueshëm, që me trojet në kryeqytet, jo vetëm të përzgjidhte “klientët”, e thënë ndryshe “ndërtuesit e dashur” të tijtë, por edhe ti trajtonte këto prona si pronë private të vetat, a thua se ia kishte lënë trashëgimi prindërit.