E Shtunë, 31 Tetor 2026

Neperkat sulm ne Lushnje

Helmohen tre të rinj. Njëri prej djemve është nisur urgjent drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës. Një vit më parë, për shkak të këtij gjarpri, në Lushnjë humbën jetën katër të rinj

LUSHNJË – Tre të rinj nga Lushnja që po korrnin jonxhë rrezikuan jetën, pasi u sulmuan nga nepërka, helmi i së cilave shkakton vdekjen e sigurt, nëse mjekimi nuk është i menjëhershëm. Në spitalin e Lushnjës ditët e fundit janë paraqitur tre raste të pickimit të gjarpërinjve. Dy djem 21-vjeçarë dhe një 30-vjeçar janë pickuar nga nepërka në këmbë. Blerim Sinanaj, 21 vjeç, nga Rrogozhina, është sjellë në gjendje shumë të rëndë nga familjarët në spital dy net më parë, pasi ishte kafshuar nga gjarpri në këmbë, ndërsa ishte duke korrur jonxhë. “Ishte një gjarpër me pulla, ai që më pickoi”, u tregoi menjëherë shokëve 21-vjeçari, ndërsa bashkëmoshatarët rendën për të kërkuar ndihmë tek të afërmit e tij. Gjatë rrugës së transportit për në spital, Blerim Sinanaj humbi ndjenjat. Sipas mjekëve reanimatorë, të tre pacientët  e paraqitur në spital janë paraqitur në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Dy prej tyre janë trajtuar në spitalin e Lushnjës, ndërsa i treti është nisur për ndihmë më të specializuar drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës. Falë marrjes së ndihmës në kohën e duhur, me serumin antivipera nga mjekët e Lushnjës, mësohet se tanimë gjendja e pacientëve është jashtë rrezikut për jetën. Vetëm një vit më parë, gjatë sezonit të verës në rrethin e Lushnjës kanë gjetur vdekjen 4 të rinj, që ishin pickuar nga gjarpri i llojit nepërkë. Mjekët këshillojnë banorët, e sidomos fermerët, që gjatë kësaj periudhe, në momentin e punës në tokat bujqësore, duhet të kenë shumë kujdes. Sipas tyre, një element që do të evitonte rrezikun, është veshja e çizmeve të gjata të punës. Kjo, pasi të tre rastet e pickimeve të nepërkës në Lushnjë kanë ndodhur gjatë kohës së korrjes së jonxhës në tokat bujqësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›