E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi e Jahjaga urojnë Krishtlindjet Ortodokse

Me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka përgëzuar besimtarët ortodoksë të Kosovës.

“Kam nderin dhe privilegjin e veçantë që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim t’ua uroj Festën e Krishtlindjeve Ortodokse”, thuhet në urimin e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi drejtuar besimtarëve ortodoksë me rastin e festës së tyre të Krishtlindjeve.

“Kjo festë e gjen Kosovën duke përmbushur agjendën e saj evropiane, të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet, dhe me një synim të qartë për t’u bërë pjesë e vlerave evropiane, duke u integruar në BE dhe në NATO”, thuhet në urimin e Thaçit.

Poashtu me rastin e Krishtlindjeve ortodokse edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë dhe qytetarët e vendit.

“Festa e Krishtlindjes është një ditë e veçantë për besimtarët ortodoksë. Ajo bartë me vete porosinë për paqen, harmoninë, respektin dhe besimin në njëri-tjetrin”, thuhet pos tjerash në mesazhin e presidentes Jahjaga.

Mëtutje ajo ka theksuar se “uroj që këtë ditë të shënuar për ju, ta kaloni me njerëzit tuaj të dashur. Uroj që kjo ditë të shërbejë si rast për të shtuar respektin mes të gjithë qytetarëve, për të vepruar për një të nesërme edhe më të mirë për të gjithë”./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›