Nikolla: “ACR”, ka kontratë në fuqi me sindikatën

Pas thirrjes që “ACR”, i bëri sërish sot minatorëve të Bulqizës, për rifillimin e punës kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikolla ka deklaruar se kjo kompani, ka kontratë kolektive në fuqi me sindikatën. Sipas tij, kontrata individuale e minatorëve të Bulqizës nuk ka përfunduar.
“Është një shaka apo papërgjegjshmëri e radhës. Ministria e Punës duhet të reagojë sepse është organi shtetëror, që harton dhe ndjekë hartimin e legjislacionit të punës. Është kontraditë e madhe e ligjit të punës. Jemi të vendosur për të vijuar mbrojtjen e institucioneve të punonjësve. Askush pa përfunduar grevën, nuk ka të drejtë të kryejë kontratën. Minatorët kanë kontratën kolektive dhe kjo kontratë nuk ka përfunduar ende, ajo ka afat edhe 2 vjet të tjera. Asnjë lloj nënshkrimi tjetër përveç institucional nuk do të ketë”, u shpreh Nikolla.
Po ashtu, kreu i Konfederatës së Sindikatave, ka deklaruar se kompania “ACR” po përpiqet të anashkalojë institucionet publike, siç është sindikata.
“Ne do të vijojmë me insistim për zbatim të ligjit. Duket hapur që “ACR”, nuk dëshiron të përfundojë grevën. Ajo po e mban peng me justifikime bajate. Greva mund të mbyllet vetëm në mënyrë ligjore”, u shpreh Nikolla.
Kreu i Konfederatës së Sindikatave, theksoi se nëse në seancën e parë të Parlamentit, nuk do i jepet zgjidhje minatorëve, në seancën e dytë, minatorët do të vijnë të protestojnë në kryeqytet, përpara ambienteve të Parlamentit.