Nikolliç: Serbia, e hapur për bashkëpunim me Kosovën
Kryetari i Serbisë, Tomisllav Nikoliç, ka deklaruar sot se Serbia ka treguar bashkëpunim dhe vullnet të mirë në dialogun me Kosovën, që do vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen, packa se shpesh nuk ka hasur në përgjigje adekuate nga pala tjetër dhe as mirëkuptim nga ndërmjetësi ndërkombëtar.
“Serbia mbetet e hapur për bisedime për të gjitha pyetjet dhe është e gatshme për zgjidhje kompromisi”, ka thënë Nikolliç.
Sipas tij, deri tani paqja dhe stabiliteti janë ruajtur, para së gjithash falë qëndrimit konstruktiv të Serbisë.
“Pozicioni parimor i Serbisë për të ardhmen e Kosovës mbetet i pa ndryshuar. Ne kurrë as në mënyrë eksplicite apo implicite nuk do ta pranojmë shpalljen e saj të njëanshme të pavarësisë. Kjo paraqet imperativ kushtetues si dhe detyrimin tonë moral, historik dhe mbi të gjitha detyrimin demokratik”, ka thënë Nikolliç, duke hapur Samitin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore që po mbahet në Beograd.