E Diel, 1 Nëntor 2026

Nikolliç kërkon qartësi, nëse Serbia kushtëzohet me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliç, ka deklaruar se do të kërkojë nga Bashkimi Europian përgjigje të qarta në lidhje me të ardhmen europiane të vendit të tij.

“Në Bruksel pres të mësoj për atë që nuk është dëgjuar kurrë në Serbi: a insiston Bashkimi Evropian që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës, për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Kemi marrë statusin e kandidatit dhe me të drejtë presim që në vjeshtë të fillojmë negociatat”, ka thënë Nikolliç për mediat serbe.

Nikolic do të qëndrojë në Bruksel javën e ardhshme, në vizitën e parë zyrtare që nga marrja e postit,muajin e kaluar.

Diplomatët europianë i kanë kërkuar Serbisë që të përmirësojë marrëdhëniet me Kosovën, si kusht për avancim drejt BE-së.

Në mesin e kërkesave kryesore është shuarja e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës, të cilat nga autoritetet kosovare dhe komuniteti ndërkombëtar konsiderohen si të paligjshme.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›