Ninic: Referendumin duhet shtyrë menjëherë

Ai në deklaratën e tij për mediet serbe, kundër mbajtës së referendumit ka përmendur tri argumente: rezultati i referendumit dihet paraprakisht, mbajtja e tij do të mund ta ngadalësonte rrugën e Serbisë në integrimet evropiane, ndërsa serbët e veriut të Kosovës do të mund të mbeteshin pa mbështetjen e të vetmit shtet, të cilin e pranojmë, shtetit të Serbisë.
Ai ka thënë se, personalisht, nuk është i kyçur në organizimin e këtij referendumi për komunën e Leposaviqit dhe se me kundërshtimin kokëfortë të Beogradit po luhet me fatin e tyre dhe se me këtë po merren përgjegjësi për gjëra që mund t’u ndodhin qytetarëve.
“Serbët e veriut nuk munden vetë kundër të gjithëve”, ka tërhequr vërejtjen Ninic.
Sipas tij, duhet marrë seriozisht vërejtjet e disa diplomatëve evropian, të cilët kanë vlerësuar se mbajtja e referendumit në veri të Kosovës do të ketë pasoja negative në procesin integrues evropian të Serbisë.
“Insistimi në mbajtje të referendumit kam frikë se qytetarët do t’i lëmë vetëm, pasi ata mund të mbeten pa mbështetjen e të vetmit shtet të cilin e njohin. Ato parti të cilat janë kundër hyrjes në BE atë qëllim të tyre duhet ta realizojnë në mënyra të tjera dhe jo pas shpinës së serbëve të Kosovës”, ka thënë i ashtuquajturi kryetar i komunës së Leposaviqit, Branko Ninic. /kosovapress/