E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamurtari kalon pa sforco Vllazninë, beson te kualifikimi

Nga ELTON NIKA

Pejiç ka shënuar dopietë, duke e lënë të hapur kalimin për në turin tjetër, ndërsa shkodranët bëjnë pak për të marrë qoftë edhe një pikë

 

Flamurtari Vllaznia       2-0    

Shënues: Pejiç 17 (11-m), 38

Flamurtari: Spaho, Brahja, Veliu, Abraham, Sakaj, Kuqi, Pezo, Shtubina (Selimi 55), Arbri (G. Muca 46), Progni, Pejiç (Çela 60). Trajner: Sh. Muça.

Kartonë të verdhë: Selimi

Vllaznia: Vujadinoviç, Sykaj, Vuk, Gocaj, Belisha, Moreno (Dema 59), Smajli, Bardulla (Karakaçi 46), Hasani (Gjini 46), Jablan, Hajdari. Trajner: R. Vata.

Kartonë të verdhë: Smajli

Gjyqtarë: E. Sino, I. Tartari, N. Rrapaj (Fier)

Radiografia

4- Top përpara portës për Prognin, por në momentin e fundit largon një mbrojtës, kur Progni mund të shënonte.

17- Pejiç zotëron topin, pason për Prognin, që hyn në zonë, pengohet në mënyrë të parregullt nga Sykaj dhe penallti. Godet saktë Pejiç, duke kaluar Flamurtarin në avantazh. 1-0.

28- Shtubina nga e djathta harkon në top në zonë, Pejiç ndërhyn me kokë, por vetëm jashtë.

30- Jabalan gjen të lirë në zonë Hajdarin, që gjuan menjëherë, por goditja e tij është e lehtë për Spahon.

38- Top për Prognin, ky me kokë shërben për Pejiçin, kroati nuk mendohet dhe gjuan menjëherë, duke shënuar. 2-0 për Flamurtarin.

39- Goditje dënimi për vlonjatët. Edhe pse nga një distancë e largët, gjuan Veliu, por pret portieri.

51- Avancon Abraham, pason për Shtubinën, që gjuan lehtë, pret Vujadinoviç.

53- Gocaj vepron bukur në të djathtë, harkon në zonë, gjuan me kokë Gjini, por Spaho pret në pozicion.

63- Selimi harkon nga e djathta, në zonë Çela dhe Gentian Muça, ky i fundit gjuan, por portieri nuk lejon prekjen e rrjetës.

68- Gjini pranë zonës kërkon të surprizojë portierin, por Spaho i vëmendshëm largon në korne.

90- Mundësia më e mirë për shkodranët. Gjini në zonë gjuan, topi prek edhe një mbrojtës vlonjat dhe përfundon pak mbi tra.

Flamurtari u rikthehet pretendimeve për të kaluar në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë me fitoren përballë Vllaznisë. Një ndeshje ndoshta jo nga më të mirat e vlonjatëve, por duket se më shumë u ka interesuar fitorja sesa loja e bukur.

Flamurtari vinte në këtë takim nën presion për të fituar, ndoshta edhe pas vendimeve të komisionit të disiplinës, ndërsa Vllaznia kishte synimet për të paktën një barazim, që do të thoshte shumë për këtë ekip dhe për të nxjerrë jashtë loje Flamurtarin.

Takimi është luajtur edhe nën reshjet e shiut dhe ndoshta nuk pati ritmin e kërkuar nga të dy ekipet, por gjithçka në fund i ka buzëqeshur Flamurtarit, që fiton me të njëjtin rezultat në kupë, si edhe në kampionat ndaj Vllanisë.

Pjesa e parë Ndeshja nis mirë për Flamurtarin, ku Muça i beson të njëjtit formacion si në ndeshjen ndaj Skënderbeut. Progni ka shansin e parë, por shkodranët largojnë rrezikun. Minuta e 17-të sjell penallti për Flamurtarin, të kundërshtuar nga Vllazina, por Pejiç është ai që nga goditja e 11 metrave prish ekuilibrat në fushën e lojës.

Vlonjatët janë më të qetë dhe natyrisht kërkojnë më shumë, të administrojnë takimin, ndërsa shkodranët duket qartë se nuk janë shumë të fortë në vijën e sulmit për të rrezikuar seriozisht portën e Spahos. Minuta e 38-të sjell golin e dytë për vlonjatët dhe sërish Pejiç është autori i golit, duke treguar se ka qenë një goditje e rëndësishme në merkaton e dimrit për vlonjatët.

Goli i dytë tregon edhe aftësitë e sulmuesit në momentin e realizimit. Me këtë rezultat shkodranët e kanë shumë të vështirë të reagojnë dhe ndoshta nuk e prisnin të pësonin dy gola pa mbaruar pjesa e parë. Deri në fund të 45 minutave të para ka shumë pak për tu shënuar dhe pas vetëm një minute shtesë, futbollistët u drejtohen dhomave të zhveshjes.

Pjesa e dytë Vllaznia e nis pjesën e dytë me dy zëvendësime, ku në fushë janë Gjini dhe Karakaçi, për Hasanin dhe Bardullën. Muça largon Arbrin, duke hedhur në fushë një ish-lojtar të Vllaznisë, Gentian Muçën. Pjesa e dytë është më e mirë për shkodranët, ndërsa Flamurtari lëshon në lojën e tij. Gjithsesi, në sulm Vllaznia nuk ka forcën e duhur për të rrezikuar dhe për të shënuar të paktën një gol.

Në minutën e 60-të trajneri i Flamurtarit largon edhe Pejiçin, që ka ndier shqetësime dhe, për të mos rrezikuar, largohet, ndërsa në vend të tij hyn Selimi. Të dy ekipet i kryejnë zëvendësimet e mundshme. Pastaj Gentian Muça për Flamurtarin ka mundësinë më të mirë për të shënuar golin e tretë, ndërsa Gjini mbetet rreziku kryesor për Vllazninë.

Në minutën e 68-të dhe në fund të takimit ka pasur dy mundësi shumë të mira, por gol nuk ka, ndërsa Flamurtari kërkon më shumë të administrojë rezultatin dhe ia arrin mjaft mirë. Mbyllet 2-0 për Flamurtarin, që pas dënimit, kthehet në kuotën e zero pikëve, por tregon se deri në fund do të jetë pretendent për të kaluar në turin tjetër.

Vllaznia kishte mundësinë më të mirë për të eliminuar nëse do të arrinte një rezultat pozitiv në Vlorë, Flamurtarin, dhe duket se lufta për vendin e dytë në grup do të jetë pikërisht mes këtyre të dy ekipeve.

Muça: Nuk dhamë maksimumin, por kemi shanse

Ishte një ndeshje që e kishim vlerësuar maksimalisht dhe natyrisht kërkonim fitoren. Nuk jemi në 100% të mundësive tona, por gjithsesi nga ndeshja në ndeshje do të vijojmë të përmirësohemi. Sot (dje) në pjesën e dytë kemi lëshuar diçka në lojë, por në këtë moment më i rëndësishëm sesa loja, ishte rezultati dhe ne arritëm të fitojmë.

Natyrisht, pretendimet tona janë për të kaluar më tej dhe do të kërkojmë që ta arrijmë diçka të tillë. Më vjen mirë që Pejiç ka shënuar dy gola, pasi ai është pikë referimi për skuadrën në sulm. Një fitore në këto kushte të ndihmon më shumë dhe ne do të vijojmë të tregojmë forcën tonë si në kampionat, ashtu dhe në kupë. Jam i kënaqur me impenjimin.

Vata: Dy golat e kundërshtarit ishin të dyshimtë

Kam pretendimet e mia për të dy golat e Flamurtarit, pasi mendoj se ishin në pozicion jo të rregullt, si te momenti i penalltisë, ashtu edhe te goli i dytë. Gjithsesi, kemi humbur sot (dje) një ndeshje me dy gola, të cilat mund të evitoheshin plotësisht. Vllaznia ka një ekip shumë të mire. Ne do të rritemi në lojën tonë nga ndeshja në ndeshje dhe askush të mos mendojë se do ta ketë të lehtë me ekipin tonë, kudo që të luhet.

Ndër afrimet, mendoj se këtyre lojtarëve u duhet edhe pak kohë, por ne do të kërkojmë më të mirën në të dy kompeticionet si në kupë, ashtu dhe në kampionat. Nuk është në natyrën e ekipit shkodran të dorëzohet dhe ashtu do të bëjmë, pasi shanset janë. Nuk do të rrimë të qajmë ndeshjen e sotme, por do të shohim përpara.

Të veçanta

- Gjatë ndeshjes, nga sportdashësit e Flamurtarit nuk kanë munguar thirrjet drejtuar kundër FSHF-së dhe kreut të saj, Armand Duka.

- Presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, nuk ka munguar në stadium, pavarësisht se vetëm një javë më parë iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.

- Ka pasur shqetësim Pejiçi në momentin e daljes nga fusha, por gjithçka është normalizuar dhe futbollisti ka pasur vetëm një shqetësim të lehtë dhe ka kërkuar të dalë për të mos rrezikuar më shumë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›