Nipi i Bedri Spahiut, padi në gjykatë për vendimin e vitit 1968
Xhemal Didi, ish-ushtarak i lartë i Forcave të Armatosura, i kërkon gjykatës shfuqizimin e urdhrit që e përjashtoi nga Ushtria, për shkak të lidhjeve me Bedri Spahiun. “Ministria e Mbrojtjes të më njohë vjetërsinë në punë”
Tiranë Gjykata e Tiranës pritet të shqyrtojë një padi gati të pazakontë, me anë të së cilës kërkohet shfuqizimi dhe deklarimi i padrejtë i një urdhri të dhënë në vitin 1968. Kërkesa është bërë pak ditë më parë nga një ish-ushtarak i lartë i Forcave të Armatosura, që ka shërbyer në ushtri nga viti 1948 deri në vitin 1968. Ish- ushtaraku Xhemal Didi i kërkon gjykatës të rrëzojë një vendim të padrejtë që i ka kushtuar jo vetëm karrierën, por edhe pensionin e pleqërisë, pasi nuk i njihen vitet e punës së kryer si ushtarak i lartë. Paditësi rezulton të jetë nipi i ish-prokurorit të komunizmit, Bedri Spahiu dhe pikërisht kjo lidhje familjare do t’i kushtonte ushtarakut të lartë Xhemal Didi, karrierën e përhershme në ushtri. Sipas padisë mësohet se Didi kërkon nga Gjykata e Tiranës të shpallë të padrejtë urdhrin e ministrit të Mbrojtjes, Nr. 0267 datë 07.10.1968, që përmban motivacionin “dalje në rezervë për arsye se ishte nipi i Bedri Spahiut”. Gjithashtu, paditësi kërkon nga gjykata anulimin e këtij urdhri dhe detyrimin e Ministrisë së Mbrojtjes t’i njohë si vjetërsi shërbimi si oficer i Forcave të Armatosura të gjithë periudhën kohore nga data 01.01.1948 dhe deri në plotësimin e moshës së daljes në pension. Urdhri që nxori në lirim oficerin madhor mban firmën e ish-ministrit të Mbrojtjes së kohës, Beqir Balluku. Ka qenë pikërisht ky vendim që kishte si motivacion lidhjen e gjakut me ish-prokurorin Bedri Spahiu, i cili nxori në lirim Xhemal Didin, për arsye politike. Paditësi Didi, një ish-ushtarak i rangut të lartë, është liruar nga Forcat e Armatosura, për t'u bërë më pas pjesë e të përndjekurve politikë nga sistemi i mëparshëm, pasi i afërmi i tij, ish-prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Bedri Spahiu, ishte shpallur armik nga sistemi. Spahiu, një nga figurat dhe eksponentët kryesorë të makinerisë së regjimit komunist, kërkoi dënimin me vdekje për dhjetëra intelektualë në gjyqin special të vitit 1945. Po ashtu ka ngritur akuzë edhe në gjyqin e deputetëve në vitin 1947, së bashku me një tjetër figurë të njohur të komunizmit, i cili vetëm pak vite më pas do të dënohej me vdekje, Koçi Xoxen. I penduar më pas për ato që kishte bërë, Spahiu tërhiqet dhe pëson fatin e mijëra personave të tjerë, duke kaluar më shumë se 35 vite në burgjet e diktaturës. Ndëshkimi i ish-Prokurorit të Përgjithshëm nga sistemi komunist nuk ka kursyer as familjarë dhe të afërm të tij. Nipi i tij, Xhemal Didi ka qenë njëri prej tyre, të cilit iu komunikua largimi nga ushtria me motivacionin se ishte nip i Bedri Spahiut. Madje, kjo periudhe kohe nuk i është njohur as si vjetërsi pune. Ish-ushtaraku kërkon tashmë njohjen e kësaj periudhe kohe si vite pune, për të plotësuar moshën e pensionit. Kërkesë-padia tashmë është hedhur në shortin elektronik, ku është përzgjedhur gjyqtari Artur Gaxhi për gjykimin e saj, që do të nisë në muajin janar të vitit të ardhshëm. Po ashtu, ish-ushtaraku Didi ka depozituar edhe një tjetër padi në Gjykatën e Tiranës, ku kërkon nga Sigurimet Shoqërore përfitimin e sigurimeve shoqërore suplementare si ushtarak edhe për vitet e humbura nga ndërprerja e karrierës ushtarake.