E Diel, 1 Nëntor 2026

Atentat me tritol nr.2 të policisë, Muça: S’kam pasur kërcënime, shkak detyra

SHKRUAN: Habjon Hasani 09-12-2011 13:45

Një sasi eksplozivi ka shpërthyer në derën e apartamentit të zv/drejtorit të Policisë së Tiranës, Dorian Muça. Gjatë dëshmisë për kolegët, ai nuk ka shprehur asnjë dyshim konkret për autorët. Grupi hetimor sekuestron kamerat e sigurisë, ku janë fiksuar pamje të atentatit, por jo fytyra e autorit

Tiranë Atentat me tritol në shtëpinë e numrit 2 të Policisë së Tiranës. Një sasi eksplozivi ka shpërthyer rreth orës 02:40 minuta, në pragun e shtëpisë së zv/drejtorit të Policisë së Tiranës, Dorian Muça mëngjesin e djeshëm, ndërsa ngjarja shënon precedentin e parë të kërcënimit të një autoriteti të këtij niveli në Policinë e Tiranës. Gjatë shpërthimit, Dorian Muça ndodhej në banesë bashkë me familjarët e tij, në katin e 7-të të pallatit dhe fatmirësisht nuk raportohen të lënduar në njerëz, por vetëm dëme materiale. Strukturat më të rëndësishme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë angazhuar në zbardhjen e autorëve dhe urdhëruesve të ngjarjes që tronditi jo pak policinë e Tiranës. Vetë objektivi i këtij atentati, në dëshminë e dhënë për kolegët nuk ka shprehur asnjë dyshim konkret për autorët e këtij sulmi. Muça ka hedhur dyshimet se ngjarja ka lidhje me detyrën e tij si zv/drejtor i Policisë së Tiranës, edhe pse ka pohuar se nuk ka pasur kërcënime direkte. Hetimet janë fokusuar në pistën e një kërcënimi për shkak të detyrës që kryen Muça, ndërkohë që deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk kishte asnjë të dyshuar për ngjarjen. Hetimet paraprake dhe këqyrja e vendit të ngjarjes u krye nga një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ekspertët më të mirë xhenierë të luftës kundër akteve terroriste dhe specialistë të hetimit të krimit. Mësohet se lënda shpërthyese ishte vendosur në derën e jashtme të banesës së nëndrejtorit Muça, ndërkohë që forca e shpërthimit ka shkaktuar dëmtime edhe në banesat e tjera pranë. Grupi hetimor nisi hetime intensive duke u përqendruar në detyrën që ushtron kryepolici dhe në hetimet më delikate që ai mund të ketë drejtuar vitin e fundit ndaj grupeve të ndryshme kriminale në kryeqytet. E sa i përket autorëve, fillimisht është shpresuar tek kamerat e instaluara në pallatin ku banonte Muça, në rrugën “Frosina Plaku” në Tiranë. Zona poshtë oborrit të pallatit ku jeton Muça ka disa kamera sigurie dhe burimet nga policia e Tiranës bëjnë me dije se ato kanë mundur të kapin “siluetën” e një personi që ka hyrë në pallat dhe ka dalë rreth 5 minuta më vonë sërish nga pallati, nga ku më pas ka ardhur dhe shpërthimi në katin e 7 të godinës. Pasditen e djeshme, grupi hetimor ka parë pamjet e regjistruara nga kamerat, për ndërtimin e identikitit të autorit të atentatit me eksploziv. Por burime policore i thanë dje MAPO-s se pamja që ofrojnë filmimet nuk jep të dhëna të kënaqshme që mund të ngushtojnë në mënyrë të qartë rrethin e të dyshuarve si autorë të vënies së bombës. Grupi hetimor ka shoqëruar të paktën 30 persona ditën e djeshme, të cilët mendohet se do të mund të japin elementë për zbardhjen e ngjarjes. Ndërkohë mësohet se një pjesë e tyre kanë precedentë penalë. Prokuroria e Krimeve të Rënda është duke punuar edhe me informacionet e siguruara në mënyrë operative nga “pikat e kontaktit” në terren.

Ministri Nishani, takim urgjent me krerët e policisë

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i shoqëruar edhe nga zëvendësministri Avenir Peka dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, kanë zhvilluar mesditën e djeshme në Drejtorinë e Policisë së Tiranës një takim me grupin e hetimit në lidhje me shpërthimin në apartamentin e zv/drejtorit Dorian Muça. Ndonëse në lidhje me këtë takim nuk pati asnjë komunikim zyrtar për mediat, burime policore u shprehën se ministri Nishani u njoh me detaje të ngjarjes dhe pikat kryesore ku është orientuar hetimi. Të njëjtat burime u shprehën se një grup ekspertësh janë duke krijuar identikitin e personit që shfaqet në regjistrimin e kameras së sigurisë, duke vendosur lëndën shpërthyese në derën e apartamentit të Dorian Muçës. Mësohet se ministri i Brendshëm ka kërkuar zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes që rrezikoi familjen e zv/drejtorit të Policisë së Tiranës.

Policia e Tiranës: Do godasim çdo nivel të krimit

Pas atentatit me eksploziv në shtëpinë e zv/drejtorit të Tiranës, policia ka përcaktuar detyrën si motiv të ngjarjes. Me hetimin e ngjarjes po merren specialistët më të aftë

Atentat për shkak të detyrës. Ky është versioni zyrtar i Policisë së Tiranës për shpërthimin e eksplozivit në derën e apartamentit të zv/drejtorit Dorjan Muça. Në një deklaratë të posaçme për shtyp, në lidhje me atentatin e rëndë kundër numrit 2 të Policisë së Tiranës, Drejtoria e Policisë ka dhënë një “mesazh” të qartë mes rreshtave, duke paralajmëruar se do të vazhdojë goditjen e cilitdo niveli të krimit në vend. “Strukturat e Policisë së Shtetit kanë qenë dhe do të jenë të vendosura për të luftuar me rigorozitet çdo lloj forme krimi, duke goditur në kohë dhe vendosur përpara drejtësisë elementë kriminalë, duke punuar me angazhim maksimal dhe duke qëndruar të palëkundur në luftën ndaj krimit, gjithnjë me fuqinë që i jep ligji”, - saktëson deklarata. Më tej, policia sqaron se do të kryhen të gjitha veprimet intensive hetimore për të bërë me çdo kusht të mundur zbardhjen e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë. “Strukturat e hetimit të krimit të Policisë së Tiranës po punojnë intensivisht për të sqaruar motivet dhe identifikuar e kapur autorët, ndërkohë që aktualisht janë shoqëruar dhe po pyeten në lidhje me ngjarjen disa persona. Për çdo informacion të mëtejshëm në lidhje me identifikimin dhe kapjen e autorëve me synim zbardhjen tërësisht të kësaj ngjarjeje, do t’ju informojnë në vijimësi”, - shkruhej në deklaratën e djeshme të policisë së kryeqytetit. Po dje, zyrtarë të lartë të Policisë së Tiranës konfirmuan se hetimet kanë angazhuar specialistët më të mirë dhe shpresohet që autorët e krimit të identifikohen në orët në vazhdim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›