E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëllezërit Krasniqi fajtorë, rrezikojnë burg përjetë

Një juri në gjykatën e Nju-Jorkut ka shpallur fajtorë për dy vrasje, rrëmbime e trafik droge Bruno dhe Saimir Krasniqin. Prokurori: Mori fund mbretëria e terrorit. Falenderime Shqipërisë për ekstradimin e Rrapos

Vëllezërit shqiptarë Bruno dhe Saimir Krasniqi u shpallën fajtorë nga një juri në Nju-Jork për një seri krimesh, përfshirë mashtrime, vrasje, konspiracion për vrasje, rrëmbime, trafikim lëndësh narkotike, vënie zjarri, grabitje, pengim i drejtësisë, transport i lëndëve narkotike dhe përdorim armësh zjarri. Preet Bharara, prokurori i Distriktit Jugor të Nju-Jorkut, që bëri publik njoftimin, shprehet se dy vëllezërit “ishin drejtuesit e njërës prej organizatave kriminale më brutale dhe të dhunshme”. Ai shton se gjashtë vjet pas vrasjeve brutale që ata orkestruan, vendimi i jurisë i dha fund mbretërisë së terrorit të Krasniqëve dhe i solli para drejtësisë shkaktarët e këtyre krimeve të tmerrshme. Organizata kriminale e Bruno dhe Saimir Krasniqit vepronte mes të tjerash në Nju-Jork, Miçigan dhe Konektikat. Mes krimeve të tjera, ata u shpallën fajtorë për vrasjen në vitin 2005 të Erion Shehut, një anëtar i një bande rivale në Queens të Nju-Jorkut, si edhe ekzekutimin e Erenik Grezdës, një anëtar i organizatës së tyre, pasi dyshonin se kishte bashkëpunuar me një bandë tjetër kundër tyre. “Bruno dhe Saimir Krasniqi drejtuan një prej organizatave kriminale më brutale dhe të dhunshme. Në gjashtë muaj ata realizuan dy vrasje, dy rrëmbime, dy pengmarrje për çështje droge dhe një zjarrvënie të qëllimshme. Sot, thuajse gjashtë muaj pas vrasjeve brutale të orkestruara prej tyre, verdikti i jurisë i çon autorët e këtyre krimeve para drejtësisë”, - tha prokurori Preet Bharara. Bruno dhe Saimir Krasniqi përballen me dy burgime të përjetshme, si edhe dënime me 60 vjet burg për akuza lidhur me narkotikë dhe armë zjarri. Zoti Bahrara vlerësoi grupin e punës së Ballkanit të FBI-së për krimin e organizuar. Ai mes të tjerash vlerësoi edhe autoritetet shqiptare për ndihmën për hetimin dhe ekstradimin e Almir Rrapos, ish- këshilltar i lartë i ish-zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ilir Meta. Rrapo u arrestua në Shqipëri nën akuzat për lidhjet me organizatën ‘Krasniqi’ dhe pjesëmarrjen në vrasjen e Shehut, si dhe për trafikim narkotikësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›