Nipi i Kolekëve vë në rresht deputetët socialistë, me firma-kamikaze në mbrojtje të mauzoleumit të Enverit
Cikli “Përrallat e gushtit”/Edvinistëve s’u ndahet shpirti nga diktatori
Pinjollët e diktaturës, rrethojnë maozelumin e Enverit: Do e mbrojmë sa të kemi jetën
Pinjolli i bllokut, nipi i Spiro Kolekës rreshtoi dje përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, përballë ndërtesës së Piramidës, një grup çetnikësh fatzinj, për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, në përpjekjen e fundit, me qëllim mbrojtjen e varrit ideologjik të Enver Hoxhës. Sektori i çetnikëve paralajmëroi dje se s’do lejojnë shembjen e ndërtesës së Piramidës, maozelumit të Enverit dhe se për të ishin gati të jepnin edhe jetën, por mungoi kompozimi i korit të parullës “Rroftë Partia, Rroftë Enveri”. Kjo përpjekje e pashpresë dhe e venitur, për të mbajtur në këmbë kultin e diktatorit më gjakatar që ka njohur Evropa e pas Luftës së Dytë Botërore, është treguesi më domethënës i fatalitetit politik që përfaqëson e majta e Partisë Socialiste dhe mbizotërimi në të i klikës së pinjollëve të brezit të dytë të nomeklaturës. Prej më shumë se 6-7 muajsh, Partia Socialiste është investuar kryekëput në “varrin ideologjik” të Enver Hoxhës. PS kundërshton me të gjitha format e protestës “yllin” tregues të Shqipërisë moderne, të Shqipërisë që ka lënë pas, në më pak se 20 vjet, fatkeqësitë 45 vjeçare të diktaturës hoxhiste. Parlamenti i ri, ndërtesa më moderne në rajon, e cila në mënyrë simbolike do ketë në “përgjegjësi” shëmbëllimin e Shqipërisë demokratike, të lirë dhe Evropiane, vazhdon të urrehet dhe trajtohet si “mbetje” e imperializmit perëndimor, pse jo dhe amerikan, më keq akoma. Një tufë varrhimësash ftohin kokën në oxhakun e krizës që mban pas vetes shpatullat e kalbura të Ramiz Alisë, i cili akuzohet për një sërë fatkeqësish që i ka shkaktuar këtij vendi dhe këtij kombi, madje në dijeni të plotë dhe me firmën e tij. Përkujtimorja e kultit të diktatorit sigurisht që është një këshillë e pasardhësit të Hoxhës, aleatit historik të Nexhmijes dhe bashkëpunëtorit të Spiro Kolekës, me qëllim mbrojtjen dhe thurjen e lëvdatave për veprën dhe kultin e lavdishëm të diktatorit Enver Hoxha. Grupi i ithtarëve enveristë në përbërje të të cilit gjallërojnë deputetë të PS-së si Taulant Balla, Saimir Tahiri, Ditmir Bushati apo edhe ekstra-parlamentarë si Erjon Veliaj, të dirigjuar nga nostalgjikët Gramoz Ruçi, Ilir Gjoni dhe Edi Rama, do të mbrojnë me gjithçka munden ngrehinën e kultit të pa-vdekshmërisë së Enverit, përjetësinë e vrasësit të qindra e mijëra të rinjve të shtresave të ndryshme të popullsisë nga punëtorët e thjeshtë dhe deri te elita e intelektualëve. Në vetvete “Piramida” është një çështje e ekzagjeruar dhe se logjikisht s’duhet të kishte qenë pjesë e qenësishme e analeve politike, pasi i gjithë objeksioni që lidhet me të, ka të bëjë me ndërtimin e Parlamentit të ri, i cili do të jetë shëmbëlltyrë e shekullit të XXI dhe Shqipërisë së vitit 2011. Por thatësira politike që ka pllakosur PS-në dhe të majtën, kthen si domosdoshmëri në mbijetesën politike, trajtimin dhe mbrojtjen e çdo çështje, edhe të karakterit absurd, mjafton që prodhon politikë dhe oponencë ndaj Qeverisë.
L.Q