E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Raporti i ODIHR, objektiv - koha për reformën zgjedhore

23-08-2011 / Gazeta 55

Ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu ka komentuar për herë të parë raportin e ODIHR-it, duke e cilësuar “tërësor, të plotë dhe objektiv”. Ai ka bërë thirrje për nisjen e dialogut për reformën zgjedhore, duke e cilësuar këtë reformë si prioritare dhe përgjegjësi të partive politike 

Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i bëri thirrje dje klasës politike shqiptare që të nisë dialogun për reformën zgjedhore dhe plotësimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit. Deklarata e kryediplomatit amerikan në Tiranë, Arvizu, u bë në një prononcim për mediat, pas një takimi zhvilluar me ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi. Duke u ndalur në raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 8 majit, Arvizu tha se raporti ishte tërësor, i plotë dhe i qartë. Sipas tij, pas publikimit të tij i mbetet klasës politike shqiptare për plotësimin e rekomandimeve, për të cilat kërkohet bashkëpunim dhe dialog politik. Arvizu theksoi se ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë të domosdoshme, pasi OSBE-ja ka shprehur disa herë shqetësimin për përmirësimin e Kodit Zgjedhor, që aktualisht vlerësohet me një sërë boshllëqesh. “Raporti i OSBE –ODIHR ishte një raport tërësor, i plotë dhe objektiv. Themi here pas here që infrastruktura ligjore në Shqipëri, është e plotë dhe e mirë, por zbatimi i ligjit lë për të dëshiruar. Siç e bën të qartë raporti i OSBE/ODIHR ka boshllëqe në kodin elektoral, i cili ka nevojë për t’u përmirësuar, sepse këto boshllëqe nuk kanë lejuar zbatimin më tej të tij. Dhe këtu duhet të jetë fokusi, sidomos i reformimit elektoral” - u shpreh ambasadori Arvizu. Reagimi i ambasadorit amerikan vjen vetëm pak ditë pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR për zgjedhjet lokale në Shqipëri. Në fillim të muajit shtator do të jetë ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Ëollfarth i cili pritet të raportojë para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë për zhvillimet politike dhe jo vetëm gjatë këtij viti në Shqipëri.
Sesioni i ri parlamentar pritet të sjellë zhvillime të reja në qarqet politike përsa i takon kërkesës së ndërkombëtarëve për reformimin e kodit zgjedhor dhe nisjen e dialogut politik në vend. OSBE, SHBA dhe BE, kanë deklaruar njëzëri se forcat politike në Shqipëri duhet të kthehen në rrugën e dialogut si dhe të nisin përgatitjet për plotësimin e kuadrit ligjor, veçanërisht atij elektoral, i cili edhe mbetet një nga kërkesat më të rëndësishme të faktorit ndërkombëtar. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›