E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis Kongresi i PS, votohet sot programi e statuti

TIRANE- Po zhvillohet në Pallatin e Kongreseve Asamblea Kombëtare e Partisë Socialiste, ku pritet të votohet programi i ri politik, i përmbledhur në një broshurë prej 92 faqesh nën titullin “Rilindja Shqiptare” por edhe ndryshimet në statutin e saj

1500 delegatë të ardhur nga gjithë Shqipëria do votojnë sot për të zgjedhur anëtarët e Asamblesë Kombëtare, por edhe anëtarët e Komisionit të Garancive Statutore. Punimet e Kongresit u celën nga sekretari organizativ, Blendi Klosi, i cili deklaroi se ky Kongres do tregojë diferencën që Partia Socialiste ka nga kundërshtarët e saj politike. Jemi për zgjedhje të lira, për shtet të fortë social, për një Shqipëri europiane, tha Klosi.

“Nder të jemi në këtë kongres dhe kërkojmë zgjedhje të lira. Ne do t’ju flasim të gjithëve për dallimin që kemi me kundërshtarët tanë. Sot nën drejtimin e Edi Ramës po projektiojmë rilindjen e re të Shqipërisë. Partia jonë është e madhe dhe gati të marrë vendime kurajoze në emër të demokracisë. Një parti e bashkuar në luftën për drejtësi, në luftën për të fituar”.

Sipas Klosit Partia Socialiste ka dallim nga Partia Demokratike pasi “Ata ofrojnë një demokraci të refuzuar nga Evropa, një Shqipëri me plehra. Ne besojmë tek administrata publike, respektojmë kushtetutën e shtetin, ata janë mazhoranca e dhunës. Ne besojmë tek Shqipëria, ata tek Saliu, ne besojmë tek vota e lirë, ata gëzojnë votën e vjedhur”, tha Klosi.

Më pas do të nisë prezantimi i 4 shtyllave kryesore të programit politik të PS-së. Pjesa e parë, e titulluar “Rimëkëmbje e Ekonomisë” do të prezantohet nga deputetja Mimi Kodheli. Pjesa e dytë, e titulluar “Ripërtëritje e shoqërisë” do të prezantohet nga Valentina Leskaj”. Më pas do të prezantohet nga nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Saimir Tahiri, pjesa e tretë e titulluar “Rivendosje e demokracisë”. Ndërkohë, pjesën e katër të titulluar “Ribashkim me Evropën” do ta prezantojë deputeti Ditmir Bushati.

Pas këtij prezantimi pritet të marrë fjalën kryetari i PS-së, Edi Rama. Mësohet se më pas, punimet e Kongresit do të vijojnë me përshëndetjet e partive aleate, nga Internacionalja Socialiste, Partia e Socialistëve Evropianë dhe partnerë të tjerë të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Më tej, punimet e Kongresit do të vijojnë me diskutimet e lira të delegatëve të PS-së.

Në këtë pikë pritet që të ketë edhe ndërhyrje të deputetëve kundërshtarë. Mësohet se Arben Malaj ka përgatitur të mbajë fjalën e tij, në lidhje me demokratizimin e partisë, duke prekur çështje, të cilat janë diskutuar edhe gjatë turit të tij, në takimet me të rinjtë nëpër Shqipëri. Në vijim punimet e Kongresit do të merren me diskutimin e ndryshimeve statutore, të cilat do të kalohen nen për nen duke marrë parasysh edhe propozimet e delegatëve. Në fund fare, delegatët do të nisin votimin për Komisionin e Garancive Statutore dhe anëtarët e Asamblesë Kombëtare. Burimet bëjnë të ditur se ndër emrat e kandidatëve që janë futur rishtas në këtë forum të lartë është edhe ai i diplomatit, të shkarkuar pak kohë më parë, Dritan Hila.

Por mësohet se do të ketë mes kandidatëve edhe figura të tjera nga shoqëria civile dhe anëtarësia e PS-së, emra të propozuar edhe nga vetë deputetët sipas zonave. Tashmë përfaqësia e Kongresit ka hartuar një listë me emra, por gjatë punimeve të Kongresit mund të ketë prurje të reja, sipas propozimeve të delegatëve. Asambleja Kombëtare duhet të ketë një numër më të madh anëtarësh të zgjedhur me votë të fshehtë në krahasim me ata që futen drejtpërdrejt nga funksionet që mbajnë.

Por, sërish pritet të jetë pjesë e forumit, ish-kryetari Fatos Nano, ish-Presidenti Rexhep Meidani, Ylli Bufi, Servet Pëllumbi, 64 deputetët, mes të cilëve edhe kundërshtarët e Ramës, etj. Më tej, do të jetë Asambleja e re, e cila do të zgjedhë kryesinë dhe sekretarët që do të jenë stafi më i afërt i kryetarit Edi Rama.
(m.a/GSH/BalkanWeb) Lidhje te tjera Bello: Sot Kongresi për fitoren e zgjedhjeve Programi i PS, zbulohen 92 faqet e para të “Rilindja Shqiptare” Kongresi i PS, Klosi: Risi pozitive. Harasani: Duhet të na bashkojë PD, Mustafarja: Kongresi i PS i dështuar

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›