E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis aksioni për prishjen e banesave në Thumanë

KRUJË- Pak ditë pas protestës së banorëve të Thumanës në Krujë, të mërkurën ka nisur aksioni për prishjen e banesave pranë autostradës Fushë Krujë-Milot. Që prej mëngjesit fadromat kanë prishur banesat që preken nga zgjerimi i autostradës, ndërsa të pranishëm në aksion kanë qenë forca të shumta policie për të shmangur ndonjë përplasje me banorët.
Këta të fundit thonë se shtëpitë e tyre janë vlerësuar me dëmshpërblim qesharak dhe aspak të vlefshëm për ti rindërtuar ato.
“Kam punuar 20 vjet për të ndërtuar këtë shtëpi dhe na kanë dhënë 40 milionë lekë. Nuk kemi as tokë ku me ndërtu shtëpi tjetër” shprehen banorët.

Të njëjtin mendim ka ndarë me ta edhe deputeti socialist Gjovalin Kadeli i cili i cilësoi dëmshpërblimet si absurde ndërsa kërkoi që cdo banor të pajiset me dokumentat përkatëse që u japin atyre mundësinë të ankimojnë në gjykatë.
Në lidhje me kërkesën e deputetit socialist por edhe të vetë banorëve, kreu i Inspektoriatit të Ndërtimit, Gjergj Bojaxhi u përgjigj se banorët kanë plotësisht të drejtë të ankimojnë në gjykatë vetëm për rivlerësim të dëmshpërblimeve.

“Ky është një proces që mund të cohet në gjykatë nga banorët dhe në mënyrë individuale secilit ti rivlerësohet shtëpia nga gjykata. Në momentin që gjykata merr vendim për të rivlerësuar me një shumë më të madhe objektin, sigurisht bëhet dhe pjesa tjetër e pagesës” u shpreh Bojaxhi.

Aksioni i nisur këtë të mërkurë do të vijojë me prishjen e 12 banesave në total dhe të një subjekti privat, të gjitha ndërtesa një ose dy katëshe.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›