E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeremic: Prishtina në Samit sipas rezolutës 1244

BEOGRAD- Pjesëmarrja e Kosovës në tubimet ndërkombëtare rajonale duhet të jetë sipas rezolutës 1244, e përsëriti sot qëndrimin e Serbisë, ministri i Jashtëm, Vuk Jeremic.

“Konsiderojmë se zëri i Prishtinës duhet të dëgjohet në organizatat ndërkombëtare të karakterit rajonal, ku është dëgjuar edhe para shpalljes së njëanshme të pavarësisë, por pjesëmarrja e Prishtinës duhet të jetë në harmoni me të drejtën ndërkombëtare, duke e respektuar plotësisht rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha Jeremic, raportojnë agjencitë beogradase.

Këto komente ai i bëri sot në Beograd, pas takimit me ministrin e jashtëm të Spanjës, Migel Angel Moratinos, i cili theksoi se presidenca e radhës e Spanjës në Bashkimin Evropian, “është e bindur se konferenca në Sarajevë do të arrijë sukses të plotë”.

Sipas tij, takimi ministror në Sarajevë, në muajin qershor, “do të jetë pikë kthese në aspektin e angazhimit evropian në hapësirën e Ballkanit perëndimor”.
(m.a/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›