Nis asfaltimi i Bulevardit Petro Nini Luarasi

Përmirësimi i situatës metereologjike u ka mundësuar firmave kontraktore, të nisin fazën e fundit, atë të asfaltimit të punimeve në shumë rrugë të kryeqytetit. Kryebashkiaku Basha ka inspektuar mbrëmë punimet për asfaltimin e bulevardit "Petro Nini Luarasi”, në njësinë bashkiake nr.2. Me një investim prej 63,7 milionë lekësh, ky bulevard me gjatësi 805 metra i është nënshtruar rikonstruksionit të plotë. Në këtë rrugë janë ndërtuar të gjithë shtresat e nevojshme të inxhinierisë nëntokësore, ujësjellës-kanalizimeve, kabllot e telefonisë dhe internetit. Janë vendosur mbi 50 shtylla të reja ndriçimi aktual dhe janë mbjellë mbi 150 fidanë të rinj pemësh.