Nis asistenca e CIA’s për kryengritësit

Armët, përfshirë këtu pushkët automatike, raketat, municionin dhe armatimin anti-tank, po futen në Siri përgjatë gjithë kufirit turk, nëpërmjet një rrjeti të fshehtë të ndërmjetësuesve, në mesin e të cilëve ka grupe të Vëllazërisë Myslimane të Sirisë por edhe turq, sauditë dhe kataras të paguar, pohojnë zyrtarët.
Zyrtarët e CIA ka disa javë që ndodhen në Turqinë jugore, pjesërisht edhe për të ruajtur armët që të mos në duar të grupeve terroriste dhe grupeve aleate të rrjetit Al-Qaeda. Administrata e presidentit Obama ka deklaruar se nuk po i furnizon grupe opozitare siriane me armatim, megjithëse ajo, gjithashtu, ka bërë të ditur se shtete fqinje të Sirisë mund të jenë duke e bërë këtë gjë.
Kjo ndërhyrje e fshehtë e inteligjentes amerikane në armatimin e kryengritësve paraqet asistencën e vetme të dukshme amerikane për fushatën kundër pushtetit në Damask. Po ashtu, kjo mbështetje është pjesë e përpjekjeve të Washingtonit për rritjen e presionit ndaj presidentit Bashar al-Assad, i cili kohëve të fundit ka shtuar sulmet vdekjeprurëse ndaj civilëve dhe milicive që po e kundërshtojnë sundimin e tij. Përkundër bllokimit gjithnjë e më agresiv të Rusisë të hapave kundër pushtetit të Assadit, SHBA dhe aleatët e tyre i janë kthyer diplomacie dhe përpjekjeve q për synim kanë ofrimin e ndihmës për kryengritësit e armatosur, në mënyrë që ta detyrojnë presidentin Asaad që të largohet nga pushteti.
Duke ndihmuar gupet kryengritëse, agjentët e inteligjencës amerikane në Turqi shpresojnë se do të mësojnë më tepër lidhur me rritjen dhe ndryshimin e rrjetit opozitar brenda Sirisë, dhe se do të krijojnë lidhje të reja me ta, shkruan gazeta NYT.
“Agjentët e CIA janë atje, dhe ata po mundohen të sigurojnë burime të reja dhe të rekrutojnë njerëz të rinj” i tha gazetës një zyrtar arab i zbulimit, i cili mban kontakte të rregullta me palën amerikane.
Zyrtarët amerikan dhe agjentë të pensionuar të CIA’s pohojnë edhe se Administrata po ofron një përkrahje shtesë për kryengritësit, siç është furnizimi i tyre me imazhe satelitore dhe detaj të tjera të zbulimit që ndërlidhen me lokacionet dhe lëvizjet e forcave siriane. Gjithashtu, Administrata aktualisht po e shqyrton edhe mundësinë që t’i ndihmojë opozitës siriane në formimin e një shërbimi bazik të zbulimit. Megjithatë, ende nuk është sjellë asnjë vendim lidhur me ndërmarrjen e këtyre masave, apo të hapave tjerë edhe më agresiv, siç është për shembull dërgimi i agjentëve të CIA’s brenda Sirisë, thonë burimet e NYT.