Nis edicioni i parëi Festivalit Ballkanik Teatror
PRISHTINE-Ka nisur të hënën në mbrëmje në Teatrin "Dodona" në Prishtinë, edicioni i parë i Festivalit Ballkanik Teatror, i cili mbahet nga datat 21-26 qershor. Gjashtë shfaqje nga pesë vende të Ballkanit Perëndimor do të nisin garën në Teatrin e të rinjve dhe kukullave "Dodona". Nata e parë nisi me shfaqjen nga Shqipëria, "Për trupin nga koka", e regjisores Inida Gjata. Përveç saj, në pesë ditët e tjera të festivalit do të prezantohen edhe dy shfaqje nga Kosova, "Nata e zotëve", me tekst të Miro Gavranit dhe regji të Fatmir Hysenit, prodhim i Teatrit të qytetit të Ferizajt, si dhe "Sonte jam vetëm", me regji të Enver Petrovcit, prodhim i "Teatrit të Babës" të Prishtinës. Nga Maqedonia kon-kurron shfaqja "Kufomat e gjalla", e autorit Shkëlzen Halimi, me regji të Zijadin Murtezit, ndërsa Mali i Zi do të prezantohet me "Vi?e od terapije" ("Më shu-më se terapi"), e autorit Christopher Durang. Pjesëmarrjen në këtë festival e ka konfirmuar edhe shfaqja nga Serbia, "Primadona", me tekst të Zhelko Mijanoviçit, nën interpretimin e aktoreve Evgenija Stankoviq dhe Katarina Arsiq. Organizatore e këtij festivali është kompania "Arena Film". Drejtuesi i saj, Sunaj Raça ka thënë se ideja për një festival të tillë ka nisur kaherë, por në mungesë të kushteve për të sjellë shfaqje nga vendet e rajonit, ky festival të shtyhet deri në këtë vit. "Megjithatë, të gjitha janë shfaqje të formatit të vogël", - ka thënë Raça. Ai ka bërë me dije se festivali do të ndajë gjashtë çmime. Do të zgjidhet shfaqja më e mirë, regjia më e mirë, aktori dhe aktorja më e mirë, si dhe aktori dhe aktorja më e mirë për rol episodik", - ka thënë Raça. Në jurinë e festivalit, e cila do të vlerësojë edhe çmimet, janë: dramaturgu Ekrem Kryeziu, regjisori Kiço Londo dhe regjisori Agim Selimi.
(d.b/GSH/BalkanWeb)
(d.b/GSH/BalkanWeb)