E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis furtuna në Polici, Erzen Breçani internohet në Dibër

Tahiri emëron zv/drejtor të Policisë së Tiranës Arben Hysenaj

Erzen BreçaniNjë ditë pasi ka marrë zyrtarisht detyrën si Ministër i Brendshëm Sajmir Tahiri ka urdhëruar kreun e Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, të shkarkojë një nga emrat më të lakuar në radhët e uniformave blu, zëvendësdrejtorin e Policisë Erzen Breçani. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj ka emëruar ditën e djeshme si zv/drejtor të Policisë së Tiranës, Arben Hysenaj, i cili do të zëvendësojë në këtë post, Erzen Breçanin. Emërimi i ri vjen pas marrjes së detyrës nga ana e ministrit të ri të Brendshëm, Sajmir Tahiri, i cili ka dhe tagrin ligjor për emërimet e zëvendës drejtorëve.

Deklarata

Ndërkohë mësohet se Erzen Breçani do të transferohet në Dibër, ku do të mbajë postin e zv/drejtor i Rendit dhe Sigurisë. Gjatë një dalje për shtyp ditën e djeshme, Erzen Breçani nuk pranoi që të komentonte për transferimin, duke theksuar se nuk ishte ende në dijeni për urdhrin, dhe kjo i ka ardhur disi e papritur. Megjithatë Breçani theksoi se do të shërbejë në radhët e policisë kudo që do të emërohet.

Para marrjes së kësaj detyre, Arben Hysenaj mbante postin e zv/drejtorit të policisë në Dibër. Hysenaj ka mbajtur poste të ndryshme në Policinë e Shtetit. Gjithashtu dje ministri Tahiri, ka emëruar edhe dy këshilltarë të tij për Rendin dhe Sigurinë. Bajram Yzeiri dhe Nikoll Rica do të jenë këshilltarët e Tahirit. Yzeiri ka qenë nga data 12 qershor 1991 deri më 4 dhjetor 1991, Ministër i Rendit Publik. Ai ka mbajtur poste të ndryshme edhe në polici. Ndërsa Nikoll Rica është me profesion avokat. Këshilltar për median i Ministrit të Brendshëm, do të jetë Florian Serjani, ish-zëdhënës i kësaj ministrie deri në vitin 2005 dhe më pas gazetar në media të ndryshme.

Incidentet

Breçani një ndër njerëzit më të përfolur në media për qëndrimet e tij politike si edhe dhunën e ushtruar ndaj një kameramani të Top Channel, është larguar nga drejtimi i rendit publik të kryeqytetit. Breçani ka patur shpesh herë debate edhe me disa deputete të Partisë Socialiste gjatë fushatës elektorale, të cilët e kanë akuzuar atë për veprime antiligjore gjatë procesit zgjedhor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›