E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 janari në Apel, kërkohen 48 vite burg për Prendin e Llupon

Ndrea PrendiËshtë zhvilluar ditën e djeshme seanca e dytë e çështjes së 21 Janarit, në Gjykatën e apelit ku në bankën e të akuzuarve për vrasjen e tre demonstruesve janë për të dytën herë, ish-kreu i gardës Ndrea Prendi dhe gardisti Agim Llupo. Gjatë leximit të konkluzioneve për më shumë se dy orë prokurorët e apelit Shkëlqim Hajdari dhe Altin Dumani kanë kërkuar prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë të Tiranës dhe lënien në fuqi të pretencës së kërkuar nga prokuroria e Tiranës. Dy prokurorët kanë kërkuar në total 48 vite burg për dy të pandehurit, pasi sipas tyre vendimi i Gjykatës së Tiranës ishte i kundraligjshëm dhe i pabazuar në pretendimet e prokurorisë.

Shkeljet

Sipas prokurorit krimi është kryer me dashje dhe ndërgjegje të plotë nga të pandehurit, të cilët e kanë parashikuar shumë mirë pasojën e veprimeve të tyre. Veprimet e kundraligjshme të kryera me dashje me ndërgjegje të plotë nga të pandehurit e mësipërm është bërë dhe në analizë teoriko-juridike të veprimeve të të pandehurve në kontekstin e veprës penale në fjalë, e cila rezulton e kryer me dashje direkt, në formën e dashjes së përcaktuar. Në pretencë theksohet se nga shqyrtimi gjyqësor u provua plotësisht se katër protestuesve në datën 21.01.2011, iu hoq jeta në mënyrë të kundërligjshme. Këta apo personat e dëmtuar, të cilët seriozisht kanë rrezikuar jetën ndodheshin në atë shesh për të protestuar, për të parë apo dhe për ndonjë shkak tjetër, por kurrsesi nuk kanë qenë në atë vend për të kryer një veprimtari në kundërshtim me ligjin.

Pretenca

Sipas prokurorisë të pandehurit kanë qëlluar në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj grupit të protestuesve, në vijimësi dhe në një interval kohor të konsiderueshëm një sasi fishekësh, por në mënyrë cilësisht të dallueshme nga efektivat e tjerë të gardës. Nga ana e hetimeve të organi të akuzës rezulton se dy të pandehurit kanë drejtuar armët e tyre të zjarrit në një objektiv të caktuar, sikundër ishte grupi i njerëzve që ndodheshin në anën veriore dhe perëndimore të Bulevardit. I pandehuri Agim në ndryshim nga i pandehuri Ndrea i ka përzgjedhur objektivat dhe shënjestruar ato. Ndërsa i pandehuri Ndrea, në shkelje të plotë të detyrës së tij funksionale si komandant i Gardës së Republikës, duke mënjanuar drejtimin e tyre, i ka orientuar me sjelljet e veprimet e tij konkrete, drejt situatave të pakontrolluara efektivat e tjerë. Në sallën e gjyqit nuk kanë qenë të pranishëm familjarë të viktimave dhe as vetë të pandehurit. Avokatët i kanë paraqitur trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Ervin Metalla, një prokurë përfaqësie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›