E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis gara për Turner

Ekspozita e katër artistëve të rinj finalistë për shpërblimin e sivjetmë Turner - që konsiderohet shpërblimi më i njohur dhe më prestigjioz i artit modern në Britani - hapet më 2 tetor, në muzeun londinez Tate Britain.

Finalistët e sivjetmë janë artistja performuese, Spartacus Chetwynd, e cila prezantohet me performansa provokative që të kujtojnë një folk halucinativ teatror; Luke Fowler, filmbërës dhe muzicient; artisti vizual, Paul Noble, i cili veprën me të cilën konkurron e punoi plot 16 vjet; dhe Elizabeth Price, video-instalacionet e së cilës ndërlidhin fotografitë lëvizëse, tekstin dhe muzikën.

Spartacus Chetwynd (1973) është artiste britanike që njihet për nga shfaqja e momenteve të rëndësishme të historisë së kulturës, nëpërmjet interpretimeve që qëllimisht i realizon në formë amatoreske dhe të improvizuar. Ajo është nominuar me ekspozitën e saj personale, të hapur në galerinë e artit modern Sadie Coles HQ, në Londër. “duke kombinuar një paletë të gjerë të sfidave historike dhe kulturore, Chetwynd krijon piktura, interpretime karnavalesh dhe instalacione skulpturore, duke shfrytëzuar kostume dhe rekuizita të punuara në dorë. Chetwynd e shlyen kufirin që ndan interpretuesin nga shikuesi, duke krijuar një atmosferë të improvizimit gazmor”, thuhet në arsyetimin e nominimit, në web-faqen e Muzeut Tate Britain.

Artisti skocez, Luke Fowler (1978) është nominuar me ekspozitën e tij personale në galerinë Inverleith House, në Edinbourgh, në të cilën prezantoi filmin e tij të ri, ku hulumton jetën dhe veprën e psikiatrit skocez, R.D. Laing.

“Fowler ndërthur xhirimet e gjetura me materialet e reja filmike, duke krijuar kështu filma të kompletuar dhe të fuqishëm që ngjallin atmosferën e një periudhe të caktuar. Në këtë mënyrë, ai tregon sesi raporti mes individit dhe shoqërisë ndryshon me kalimin e kohës”, nënvizohet në katalogun e ekspozitës.

Artisti vizual, Paul Noble (1983) është nominuar për ekspozitën e pavarur, të cilën e mbajti në galerinë londineze Gagosian, “ku ai shfaqi pikturat jashtëzakonisht të detajuara dhe interesante të metropolit fiktiv Nobson Newtown. Para vizatimeve precize teknike zhvillohet një rrëfim i errët satirik, i cili zbulohet brenda mikrobotës së këtyre veprave monumentale”. Filmbërësja, Elizabeth Price (1966), së cilës nominimin ia solli trilogjia e video-instalacioneve të prezantuara në ekspozitën personale në qendrën ndërkombëtare të artit vizual modern, Baltic, në Gateshead, “i reanimon arkivat ekzistues të pamjeve, teksteve dhe muzikës, me qëllim të hulumtimit të raportit të ndërlikuar mes objekteve dhje kulturës së konsumerizmit. Filmat e saj, të bërë me shumë kujdes, na çojnë nëpër hapësira mbresëlënëse virtuale, të ndërtuara mbi mbeturinat kulturore të botës materialiste”.

Përveç drejtoreshës së Muzeut tate Britain,Penelope Curtis, pjesë e jurisë së sivjetme janë edhe Andrew Hunt, nga galeria Focal Point, në Southend-on-Sea; Heike Munder nga Muzeu Migros Museum fur Gegenwartskunst, në Zurich, Michael Stanley, nga galeria Modern Art Oxford; dhe Mark Sladen, nga Muzeu Danez i Artit Modern Kunsthal Charlottenborg.

I themeluar më 1984, Shpërblimi Turner për çdo vit i ndahet një artisti vizual britanik më të ri se 50 vjeç, për ekspozitën më të mirë - ose për ndonjë formë tjetër të interpretimit të veprave të tij - gjatë vitit. Shpërblimi mban emrin e piktorit romantik anglez, J.M.W. Turner. Fondi i shpërblimeve është 40,000 funta, dhe ai ndahet nga katër artistët finalistë, megjithëse artistit fitues i takojnë 25,000 funta, ndërkaq tre të tjerëve nga 5,000.

Shpallja e fituesit paraprihet nga një ekspozitë e përbashkët e veprave të katër finalistëve, qëllimi i së cilës është prezantimi i artistëve të nominuar për publikun, meqë vendimi i jurisë nuk bazohet në ekspozitë, por në veprat për të cilat janë nominuar artistët. Ekspozita do të qëndrojë e hapur më 6 janar 2013, ndërkaq emri i fituesit shpallet më 6 dhjetor 2012.

Gjatë decenieve të fundit, shpërblimi Turner iu është ndarë shumë artistëve të njohur britanikë, si Antony Gormley, Damien Hirst, Steve McQueen, Grayson Perry, etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›