E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis gjyqi ndaj ish-kryeministrit izraelit Olmert

Ai dha dorëheqje vitin e kaluar pas akuzave për mashtrime, thyerje të besimit dhe falsifikim të dokumentave të korporatës, si edhe mosdeklarim të të ardhurave. Kjo është hera e parë në historinë e Izraelit që një ish-kryeministër gjykohet për një çështje që përbën vepër penale.

Akuzat kanë të bëjnë me marrjen rryshfete të mijëra dollarëve nga biznesmeni amerikan, Moshe Talanksy. Këto para janë përdorur, siç pretendohet, pjesërisht për të financuar fushatën elektorale të zotit Olmert kur ai ishte kryetar i Bashkisë së Jeruzalemit.

Pak përpara se të jepte dorëheqjen si kryeministër, zoti Olmert këmbënguli se nuk kishte marrë asnjë qindarkë për vete. Por organi i akuzës pretendon se zoti Olmert u kishte faturuar organizatave izraelite të bamirësisë rreth 92 mijë dollarë për udhëtime biznesi që ishin paguar nga qeveria.

Këto para pretendohet se ishin mbajtur sekret në një llogari bankare të agjencisë së udhëtimeve “Rishon Tours” dhe ishin përdorur për të paguar për pushimet e familjes Olmert.

Avokatët e zotit Olmert thonë se padia është shumë e dobët. Në një intervistë për BBC-në ish-kryeministri qeshi me të madhe, kur iu sugjerua se mund të shkonte në burg. Procesi ndaj tij mund të zgjasë deri në katër vjet.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›