Nis hartimi i testeve që vendosin fatin e maturantëve
Grupi i parë dhe i dytë i specialistëve të përzgjedhur nga Ministria e Arsimit ka nisur tashmë prej 5 ditësh hartimin e provimeve me zgjedhje. Ndryshe nga përvojat e viteve të kaluara, për këtë vit, MASH ka propozuar që tezat me zgjedhje të përgatiten nga tre grupe të ndara. Grupi i parë i specialistëve është “ngujuar” në ambientet e Agjencisë së Vlerësimit të Nxënësve më datë 23 qershor, ndërsa i dyti ka nisur punën më datë 25, ditën e premte. E megjithatë, procesi nuk përfundon me kaq. Këtyre grupeve iu shtua edhe një tjetër, i cili filloi përgatitjen e tezave të tjera gjatë paradites së djeshme. “E gjitha kjo është konceptuar në mënyrë të detajuar, duke synuar arritjen e një procesi të arrirë, siç ka rezultuar edhe gjatë dy provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore”, tha drejtori i arsimit parauniversitar, Fatmir Vejsiu. Menjëherë pas 30 qershorit, datë kur do të zhvillohen provimet me zgjedhje, maturantët do të bëhen gati për t’iu drejtuar dyerve të fakulteteve në të cilat parapëlqejnë të ndjekin studimet e larta. Ankthi i tyre pritet të përfundojë pas 15 korrikut, datë në të cilën ata do të njoftohen për rezultatet e testeve me zgjedhje. Pas kësaj, pikët e tyre do të përllogariten në mënyrë të detajuar, për të marrë më pas edhe përgjigjen përfundimtare për “mundin” e një muaji me radhë.
PërmbajtjaBazuar në rregulloren e Maturës Shtetërore, hartuesit do të përgatisin 20 pyetje më shumë nga sa do të përfshihen në tezën e secilës lëndë. Ndërkohë që provimi i njërës lëndë me zgjedhje do të përmbajë 20 pyetje, kundrejt 25 kërkesave që përmbanin testet e detyruara të Letërsisë dhe Matematikës. 10 prej pyetjeve do të jenë me përgjigje alternative, ndërsa 10 të tjerat do të jenë me zhvillim. Kërkesat me alternativa do të përmbajnë nga 1 pikë secila, ndërsa pyetjet me zhvillim do të ekuivalentohen me 30 pikë, çka nënkupton se testi në total do të përmbajë plot 40 pikë. Më 30 qershor, maturantët do të përmbyllin fazën e provimeve të Maturës Shtetërore, duke shpresuar që do të arrijnë të ndjekin studimet e larta në degët e tyre të preferuara. Specialistët e AVA-s edhe për këtë provim të fundit do të ndjekin të njëjtat procedura si në testet e detyruara. Zhvillimi i provimit do të bëhet në orën 10.00 dhe do të përfundojë në 12.30, duke shënuar një kohëzgjatje prej 2 orësh e 30 minuta.
Formulari A2Të gjithë maturantët që do të mund të kalojnë provimet e Maturës Shtetërore, në mes të muajit korrik do të plotësojnë formularin A2, i cili është mjaft i rëndësishëm. Kjo për shkak se nëpërmjet tij, të rinjtë do të kenë mundësi të rendisin degët në të cilat dëshirojnë të studiojnë sipas parimit meritë-preferencë. Formulari A2 do të jetë i njëjtë edhe për këtë vit. Ai do të plotësohet vetëm pasi nxënësi të marrë rezultatet e provimeve me zgjedhje.
#