E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia heton kundër Fatmir Limajt dhe 28 ish-pjesëtarëve të UÇK-së

Beograd, 31 gusht – Zëdhënësi i Prokurorisë për krime lufte i Republikës së Serbisë, Bruno Vekariq, siç raporton sot Beta, ka deklaruar se ka informacione për një varr masiv në fshatin Kleçkë, ku “gjendej krematoriumi”, në të cilin pjesëtarët e UçK-së paskan djegur serbë dhe shqiptarë. Këto informacione ai ka thënë se janë siguruar gjatë hetimeve kundër Fatmir Limajt.
Vekariq, sipas kësaj agjencie, ka pohuar se Prokuroria për krime lufte e Republikës së Serbisë nga prilli i vitit 2009 po zhvillon hetime kundër Fatmir Limajt dhe 28 pjesëtarëve të UçK-së për dyshime se në fshatin Kleçkë kanë kryer krime lufte ndaj popullsisë serbe.

“Në saje të bashkëpunimit të mirë të Prokurorit për krime lufte, Vladimir Vukçeviq, dhe shefit të Zyrës së Prokurorisë së EULEX-it për krime lufte, terrorizëm dhe krim të organizuar, Izabela Arnal, EULEX-i dhe Komisioni për të zhdukur kanë siguruar 400 mijë euro për gërmimin edhe të tri lokacioneve potenciale varrezash masive, madje pas fillimit të gërmimeve të lokacionit në Rudnicë, afër Rashkës”, ka deklaruar Vekariq.

Sipas fjalëve të tij, në lokacionin e minierës Bellaqevc, sipas rezultateve të hetimeve, ndodhen 26 trupa serbësh të Kosovës, kurse dy lokacione të tjera janë Liqeni i Livoçit dhe Kosharja, ku supozohet se ndodhen trupat e serbëve të vrarë gjatë luftës 1998-2000.
Mediat serbe kanë njoftuar se në lokacionin e Bellaqevcit sot fillojnë gërmimet për konfirmimin e dyshimeve për një varr masiv.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›