E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis kompensimi financiar për ish-pronarët aplikantë

02/02/2009  Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të nisë në fillim të kësaj jave procesin e kompensimit financiar për 180 ish-pronarët që janë në listën e aplikantëve. Pas largimit nga detyra të ish-kreut të AKKP-së, Tunxh Vatnikaj, vendin e tij e ka marrë Elvis Cefa. Me gjithë ndryshimet e bëra, AKKP-ja ka vijuar punën dhe sipas ligjit deri në qershor të këtij viti duhet të përfundojë procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Sipas burimeve nga AKKP-ja, deri më 31 dhjetor të vitit të kaluar ish-pronarët kanë pasur mundësi që të aplikojnë për njohjen e pronës. Aplikimi për të përfituar nga fondi 600 milionë dollarësh që janë në dispozicion të këtij procesi ka përfunduar dhe tashmë çdo gjë është drejt finalizimit. Gjithsesi, kjo do të varet nga vendndodhja e sipërfaqes së kërkuar për kompensim. Subjektet që kanë më shumë mundësi të përfitojnë do të jenë ato që kanë përfituar njohjen e pronës në vitin 1993, por që nuk kanë marrë kompensim në një nga format e parashikuara nga ligji më parë. Ndërkohë në Tiranë prej 3 vjetësh zbatohet kompensimi financiar, duke sjellë kështu uljen e numrit të subjekteve, të cilëve u është njohur prona në vitin 1993. E kundërta ka ndodhur në rrethet e tjera, që deri tani nuk kanë pasur mundësinë e përfshirjes në këtë proces. Kjo për shkak se nuk kanë pasur një hartë të çmimeve të tokës. Numrin më të madh të përfituesve nga fondi i kompensimit financiar për këtë vit do ta zënë subjektet e shpronësuara nga qarqet që nuk janë përfshirë në këtë proces. Gjithsesi, në rast se Qeveria do të miratojë propozimin e renditjes së aplikantëve vetëm në një listë, do të jenë subjektet e Tiranës që do të kenë më pak shanse përfitimi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›