E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afati për debitorët në ish-bankat shtetërore

02/02/2009  Për të përfituar duhet të nënshkruhen kushtet deri më 30 prill të këtij viti

Debitorët në ish-bankat shtetërore kanë afat deri në prill të këtij viti për të fituar nga lehtësitë për kreditë e pashlyera. Sipas vendimit të marrë në korrik të vitit të kaluar, parashikohen lehtësi në kuadrin e një amnistie për të gjithë debitorët. Që të përfitojnë nga lehtësitë që sanksionon ligji, debitorët duhet që të nënshkruajnë kushtet e reja me Agjencinë e Trajtimit të Kredive deri më 30 prill të këtij viti. Problemi më i madh, sipas zyrtarëve të kësaj agjencie, është identifikimi i debitorëve, të cilët janë larguar jashtë shtetit ose kanë ndryshuar adresë.

Përfituesit

Gjobat, interesat dhe kamatëvonesat do të falen për ata debitorë, që, në datën e transferimit të kredisë nga bankat, të cilat shumën e principalit e kanë pasur deri në 3 milionë lekë, duke u kërkuar të likuidojnë menjëherë vetëm principalin e transferuar nga bankat apo shumën e mbetur të principalit. Po kështu falen interesat, kamatëvonesat dhe gjobat për debitorët që kanë marrë kredi për mekanikë bujqësore duke u kërkuar të likuidojnë vetëm principalin e transferuar apo pjesën e mbetur prej tij. Atyre debitorëve që kanë mbi 3 milionë lekë si shumë principali do t’u falen interesat gjobat dhe kamatëvonesat në masën 90 për qind. Këtyre do t’u kërkohet të likuidojnë menjëherë të paktën 40 për qind të principalit të transferuar apo të shumës së mbetur prej tij. Sipas vendimit, llogaritja e detyrimit të ri, nëse do të mbetet, do të bëhet duke zbatuar normën e interesit 10 për qind për kreditë në lekë dhe 5 për qind për kreditë në valutë. Ndërsa debitorëve që kanë marrë kredi për banesa interesat, kamatëvonesat dhe gjobat u falen në masën 100 për qind dhe 80 për qind, sipas vendndodhjes. Falja bëhet me kusht që të shlyhet menjëherë, të paktën 40 për qind e principalit të transferuar apo e shumës së mbetur prej tij, si dhe duke vendosur kushtet për shlyerjen e pjesës tjetër.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›