E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis kompensimi i Energjisë, ISSH shpërndan vetëm 70 për qind të parave

Pensionistët presin radhën në sportel, një pjesë e tyre nuk do të përfitojë nga fondi aktual i qeverisë

Ditën e djeshme duhet të kishte filluar kompensimi i energjisë për të gjithë shtresat në nevojë. Instituti i Sigurimeve Shoqërore njoftoi një ditë më pare se duke filluar nga dje pensionistët që përfitojnë këtë kompensim do të mund ta tërheqin atë bashkë me pagesën

mujore të pensionit edhe shifrën prej 640 lekësh në muaj që korrespondon me kompensimin e energjisë elektrike. Por sipas gjasave këtë shumë kanë mundur ta marrin vetëm pensionistët të cilët që në orët e para të mëngjesit kanë zënë radhët në zyrat postare të shpërndarjes së pensioneve. Sipas vëzhgimit të kryer nga gazeta SOT në disa zyra të shpërndarjes së kompensimeve të energjisë dhe të pensioneve shpërndarja nuk ka filluar ende e në disa të tjera, kanë përfituar ta marrin këtë shpërblim vetëm një pjesë e pensionistëve. Sipas burimeve nga ISSH buxheti i akorduar për kompensimin nuk është akorduar i gjithë nga qeveria dhe për këtë shkak një pjesë e pensionistëve nuk kanë mundur ta merrnin përfitimin. Sipas specialistëve nga ISSH pensionistët të cilët nuk kanë mundur ta tërheqin konpensimin këtë muaj do të mund ta marrin atë muajin pasardhës. Ndër të tjera specialistët theksojnë se ditën e djeshme ka përfituar vetëm 70 për qind e pensionistëve ndërkohë që pjesa tjetër e tyre që llogaritet në 30 për qind do ta tërheqë konpensimin e energjisë elektrike më datë 1 të muajit Korrik.


Konpensimi
Masa e kompensimit është shtuar me vendim të Këshillit të Ministrave me 140 lekë, ndërkohë që kjo shtesë do të përfitohet që nga 1 janari i këtij viti. Por, realiteti paraqitet ndryshe, pasi pensionistët tregojnë për gazetën SOT që në shumë raste nuk e kanë marrë ditën e djeshme këtë shtesë. Po ashtu, ata nuk e kanë akoma të qartë dokumentet që duhet të plotësojnë në këtë rast. Në disa prej pikave ku shpërndahen pensionet nuk ka mbërritur akoma urdhri, i cili pritet të bëhet aktiv në ditët në vijim. Përfituesit të Kompensimit të Energjisë në shkallë vendi janë rreth 82 mijë kryefamiljarë pensionistë, të cilët në ditën që do të tërheqin pagesën mujore, do të tërheqin kompensimin e muajit qershor në masën 640 lekë, si dhe gjithë diferencat që nga 1 janari e deri në fund të muajit maj, në shumën prej 700 lekësh. Kanë kaluar katër muaj dhe po mbyllet i pesti, që nga dita kur u rrit çmimi i energjisë elektrike, e deri tani janë shumë të pakta familjet që  kanë përfituar kompensim, në atë masë që ka përcaktuar qeveria. Të paktën kështu deklaron Ministria e Financave përmes shifrave zyrtare të 4-mujorit, ku në zërin kompensim energjie, është shënuar zero lekë. Konsumatorët e dritave, jo vetëm që po përballen me shtrenjtimin e dritave, por edhe me abuzimet që po kryejnë faturistët, fakt i pranuar nga vetë OSSH, e cila, ashtu si qeveria, ka pranuar të bëjë rimbursim për pjesën e dëmit. Deri tani, nga të dyja anët e kostos, për familjet e varfra nuk ka asnjë shenjë përmirësimi.


Vendimi
Një shpjegim për situatën e krijuar është vendimi i qeverisë, i marrë në javën e parë të prillit, tre muaj pas rritjes së dritave, ku përcaktonte masën e re të përfitimit dhe kategoritë. Nga 500 lekë që ishte, kompensimi në muaj për faturën e dritave u rrit me 140 lekë, pra u bë 640 lekë, ose 28 për qind më shumë. Duke llogaritur tarifat e reja dhe konsumin, deri në 300 kilovatë në muaj, del se familjet shqiptare energjinë e paguajnë 260 lekë më shtrenjtë, ndërsa kompensimi u rrit me 140 lekë. Ndryshimi i VKM-së për kompensimin e dritave ka sjellë shtyrje të afatit për zbatimin e skemës, pasi strukturat e posaçme duhet të nisin verifikimet nga e para për kategoritë që përfitojnë. Vitin e kaluar ishin rreh 270 mijë pensionistë, të sëmurë dhe familje me të ardhura nën 35 mijë lekë në muaj. Në vendim thuhet se efektet shtrihen nga data 1 janar, pra kompensimi do të bëhet edhe për muajt e kaluar, por deri tani asgjë nuk është bërë.


Skema e ndarjes
Ministria e Punës është institucioni që bën të mundur zbardhjen dhe zbatimin e skemës së kompensimit të faturave të dritave. Marrja e kompensimit për energjinë do të bëhet e mundur, pasi Ministria e Punës të dërgojë në qeveri vendimin përkatës. Sipas Ministrisë së Punës, nga ky vendim do të vazhdojnë të përfitojnë familjet që mbështeten me ndihmë ekonomike, personat e paaftë për punë, të shpallur të tillë nga komisionet (KPCAP), punonjësit me pagë nën 35 mijë lekë, pensionistët e vetëm apo që kanë në ngarkim persona të tjerë. Që nga 1 janari, qytetarët shqiptarë paguajnë më shumë për konsumin e energjisë elektrike, pasi çmimi i saj u rrit mesatarisht me 13 për qind, sipas vendimit të Entit Rregullator në dhjetor të vitit të shkuar.


Arta AGOLLI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›