Konferenca e Sarajevës, shpresë për heqjen e vizave në Ballkanin Perëndimor
50 delegacione nga vendet e ndryshme. Autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë theksojnë se përgatitjet për konferencën e së mërkurës, janë duke u finalizuar. Konferenca do të karakterizohet nga pjesëmarrja e një numri të madh të ministrave të jashtëm të vendeve të rajonit por edhe të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Federatës Ruse dhe organizatave të rëndësishme ndërkombëtare: NATO, Këshilli i Evropës, OSBE etj. Në përgjithësi, deri tani pjesëmarrjen e kanë konfirmuar 38 delegacione, ndërsa organizatorët presin konfirmimin edhe të 10 delegacioneve të tjera. Takimi do të mbahet në ndërtesën e parlamentit të Bosnje-Hercegovinës dhe për përcjelljen e tij janë akredituar mbi 150 media. Vetë Bashkimi Evropian do të përfaqësohet në nivel të lartë. Pjesëmarrjen tani më e ka konfirmuar: përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme Kethrin Ashton, komisionari për zgjerim Stefan Fyle ndërsa nga Shtetet e Bashkuara do të arrijë ndihmës sekretari amerikan i shtetit Xhejms Stejnberg. Konferenca për shkak të përmbajtjes së saj shoqërohet me interesim të madh të mediave. Deri tani janë akredituar mbi 150 media për përcjelljen e saj. Organizatorë të konferencës janë ministria e jashtme dhe e sigurisë e Bosnjës kurse ne organizim janë përfshirë edhe Agjencitë e ndryshme shtetërore përfshirë policinë kufitare, shërbimet doganore, aeroportet etj. Konferenca vlerësohet ngjarje sfiduese në aspektin e sigurisë dhe për këtë autoritetet kanë angazhuar me qindra pjesëtarë të rendit, mirëpo detaje për masat e sigurisë nuk jepen. Ndërsa në një shkrim autorial të Sekretares Amerikane të shtetit, Hilari Klinton thuhet se i tërë rajoni i Ballkanit, do të ketë shansin që në takimin e Sarajevës, ti bashkohet dinamikës së re të integrimeve euroatlantike. Në këtë shkrim citohet gjithashtu se Sarajeva është simbol i rilindjes dhe bashkimit, duke përfaqësuar të gjitha shanset dhe sfidat e integrimit europian dhe euroatlantik. Integrimi i vendeve të Ballkanit perëndimor mbetet një prej sfidave për ndërtimin e një Europe demokratike dhe të bashkuar. Zyrtarë të lartë të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara, kanë pasur angazhime shtesë muajt e fundit në procese të ndryshme të evropizimit të Ballkanit, sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë. Shtetet e Bashkuara dhe Unioni Evropian, thuhet në shkrimin autorial, në takimin e Sarajevës do të bëjnë të qartë porosinë Jemi të gatshëm te ndihmojmë qytetarët dhe liderët e rajonit në ndërtimin e përbashkët të një të ardhme më të mirë.
Sejdiu: Hartat e reja në Ballkan rrezikojnë rajonin
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka deklaruar se idetë për cënimin e integritetit territorial të Kosovës, me skicimin e hartave të reja të Ballkanit, do të kishin pasoja të paparashikueshme për rajonin. Ide të tilla kanë si qëllim nxitjen e konflikteve të reja në rajon, ndaj si të tilla janë tërësisht të papranueshme, ka pohuar Sejdiu duke bërë thirrje që bashkësia ndërkombëtare, e në ve?anti BE ja, t'ia bëjë të qartë në vazhdimësi Serbisë se qasjet e tilla destabilizuese nuk do të përkrahen asnjëherë. Po ashtu, presidenti Sejdiu ripohoi gatishmërinë e Republikës së Kosovës për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e rajonit, duke përfshirë edhe Serbinë. Mirëpo ai theksoi se Republika e Kosovës nuk do të pranojë kurrë që të bisedohet për çështje të statusit apo të integritetit territorial të vendit, sepse kjo çështje ka marrë fund një herë e përgjithmonë. Ndërkaq, ambasadori Lars Freden ritheksoi se Suedia mbështet fuqishëm integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike, si dhe kundërshton qartë çfarëdo përpjekje që ka për qëllim ta cenojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Thaçi e Feith, pajtohen për luftën kundër korrupsionit
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në takimin e zhvilluar me shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Feith ka biseduar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, me theks të veçantë për përkushtimet e qeverisë për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Duke vlerësuar lart bashkëpunimin e qeverisë me ICO dhe me EULEX, kryeministri Thaçi theksoi se partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare vetëm sa do të thellohet, në funksion të përmbushjes së të gjitha kritereve për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në institucionet euro-atlantike. Nga ana e tij, shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Feith gjatë takimit me kryeministrin Hashim Thaçi u shpreh për vazhdimin e bashkëpunimit me Qeverinë dhe të gjitha institucionet kosovare, duke vlerësuar se në këtë frymë të punës së përbashkët, Republika e Kosovës do arrijë t'i përmbushë të gjitha sfidat që dalin para saj, në rrugën e zhvillimit dhe integrimit.