E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana-48 Hour Film Project : Sot protestë para Piramidës për mosfinacimin e festivalit nga QKK

Artan Minarolli: Vendimi i bordit i drejtë, u mbështet mbi ligjin

Sot pritet që të organizohet një protestë e 48 Orëshit pranë Piramidës. Shkas për këtë lëvizje, sipas organizatorëve të këtij projekti u bë vendimi i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë për të refuzuar mbështetjen financiare të Tirana-48 Hour Film Project.

Drejtori artistik Andi Tepelena, pohon se ata kishin në plan që ta zhvillonin këtë festival që në ditët e para të qershorit, por ata e shtynë zhvillimin e tij për arsye se prisnin vendimin e bordit. Më tej drejtori artistik i këtij festivali pohon: Qendra Kombëtare e Kinematografisë, në kundërshtim me premtimet e dhëna, mori një vendim të papritur dhe denigrues, duke harruar arsyen e ekzistencës së vetë kësaj qendre. Ajo denigroi në këtë mënyrë përpjekjen e rreth 340 të rinjve kineastë, studentë dhe të apasionuar të kinemasë, duke mos mbështetur moralisht dhe financiarisht 16 filmat e krijuar prej tyre enkas për Tirana-48 Hour Film Project. Më tej drejtori i festivalit Tepelena pohon se ky eveniment kinematografik i dha rezultatet e veta. Ishte një aktivitet tepër cilësor dhe i frytshëm. Tirana -48 Hour Film Project, qoftë edhe vetë edicioni i parë, dha një kontribut shumë të madh edhe në promovimin e qytetit të Tiranës, duke tentuar përmirësimin e imazhit të kryeqytetit tonë, për ta paraqitur atë si një qytet me një dinamikë të pasur artistike dhe kulturore, që synon të integrohet dhe ti bashkohet kulturës evropiane, pohon Tepelna, ndërkohë që më tej ai shton se në këtë protestë do të marrin pjesë artistë, kineastë, përfaqësuese dhe personalitete të botës së artit dhe kulturës. Për këtë protestë bashkëpunojnë dhe Art Kontakt dhe Qendra Sociale e Tiranës. Festivali i pari i këtij lloji në vendin tonë, u zhvillua gjatë dy ditëve 18 dhe 19 qershor në sallën e Teatrit Kombëtar. Ndërkaq që i menjëhershëm ka qenë reagimi i z. Artan Minarolli, kryetar i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Në një prononcim dhënë për gazetën, ai pohon se vendimi i bordit të QKK është i drejtë dhe i mbështetur mbi baza ligjore. Projekti nuk u aprovua sepse ai ishte kryer si aktivitet. Mbledhja e Këshillit Miratues të Projekteve që i takon miratimit të Festivaleve, është mbajtur në datën 28 qershor, thekson në fjalën e tij Artan Minarolli, kryetar i QKK. Më tej në prononcimin e tij Minarolli pohon se bordi ka në përbërjen e tij personalitete të artit dhe kulturës. Anëtarët e  tij janë emra që janë propozuar nga vetë shoqatat e kineastëve dhe sigurisht që vendimi i tyre mbështet mbi baza ligjore. Unë i kam mirëpritur me dashamirësi, pasi dhe unë si kryetar i Qendrës Kombëtare Kinematografike e kam për detyrë që të dëgjoj çdo gjë që ka të bëjë me projektet, pasi unë duhet ti inkurajoj këta njerëz. Bëj të ditur se Këshilli Miratues i Projekteve përbëhet nga kineastë të njohur të ekranit dhe skenës dhe janë zgjedhur nga vetë shoqatat e kineastëve. Vendimet e tyre merren në baza profesionale dhe konform Ligjit për Kinematografinë, cilëson ndër të tjera Minarolli. Më tej ai pohon se institucioni që ai drejton është transparent në çdo vendim. Qendra Kombëtare e Kinematografisë është institucioni më transparent ndaj medias dhe publikut në manaxhimin e fondeve publike për financimin e  projekteve kinematografike, thekson ndër të tjera kryetari i QKK Artan Minarolli. Ndërkaq që në vendimet e marra nga QKK kanë qenë jo të pakta dhe ato që kanë mbështetur të rinjtë, me synim që ata të gjejnë një mbështetje për të promovuar krijimtarinë e tyre.


Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›