E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosi për vdekje kolegun dhe e la në spital, pranga 25-vjeçarit

Zbardhet misteri i vrasjes së 25-vjeçarit nga Berati, Ferdinant Gjata. Autori: Vrasja ndodhi aksidentalisht

TIRANË

- Policia e Tiranës zbulon autorin dhe motivin e vrasjes së 25-vjeçarit Ferdinant Gjata nga Berati. Vrasja e të riut, e cila për dy ditë me radhë nuk kishte një vendngjarje u zbulua nga policia mbrëmjen e së martës. Gjata, i cili u paraqit i plagosur në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë ditën e hënë dhe ndërroi jetë pak minuta më pas, është qëlluar aksidentalisht nga kolegu i tij, Shemsi Shaljani, 25-vjeç. Ky i fundit është arrestuar dy ditë më parë, ndërsa ka zbardhur edhe motivin e ngjarjes. “Bashkë me Ferdinantin kishim një pistoletë, e cila nuk punonte. Teksa po tentonim ta rregullonim pistoleta u shkreh dhe plumbi qëlloi Ferdinantin. Menjëherë e çova në spital dhe e lashë atje, duke i thënë se do shkoja ta shihja sërish. Por kisha frikë nga policia dhe nuk shkova më në spital. U pendova dhe doja të vrisja edhe veten”, -ka deklaruar para oficerëve të policisë kriminale 25-vjeçari Shaljani. Sipas tij, ngjarja ka ndodhur aksidentalisht, pasi ata nuk kishin asnjë konflikt me njëri-tjetrin. Burime nga policia thanë se pistoleta ishte shkrehur pa dashje nga Shaljani dhe përballë tij ndodhej Gjata, i cili ka marrë edhe një plumb në pjesën e barkut duke i sjellë edhe vdekjen pak minuta pasi mbërriti në duart e mjekëve. Këta të fundit lajmëruan policinë për vdekjen e të riut nga Berati. Fakti që mungonin dëshmitarët dhe i plagosuri ndërroi jetë vështirësoi punën e policisë për të gjetur vendin se ku kishte ndodhur ngjarja dhe më pas zbulimin e autorit dhe motivin e vrasjes. Pas hetimeve intensive policia mundi të zbulonte autorin e ngjarjes i cili dyshohet të jetë Shemsi Shaljani, menaxher i dyqanit ku ishte punësuar Gjata. Ky i fundit prej tre muajsh jetonte në një banesë me qira në lagjen “Ali Demi” në Tiranë, ndërsa familja e tij jetonte në Berat. Ndaj autorit të ngjarjes është marrë masa e arrestit për veprën penale të “vrasjes nga pakujdesia” dhe “armëmbajtjes pa leje”, ndërsa arma pistoletë tip-Zastava që shkaktoi vdekjen u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›