E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis “lufta” në skenë mes Albërie Hadërgjonaj dhe vajzës së saj Angjelina



klotilda harka

Janë të dyja të bukura, dhe tashmë do të shfaqen në skenë si rivale. Albërie dhe Angjelina Hadërgjonaj, nënë e bijë do të dalin të dyja me nga një këngë të nxehtë për verën, ndërkohë që po punojnë paralelisht për xhirimet e klipeve të tyre në Tiranë. Kjo do të jetë dalja e parë publike si këngëtare e Angjelinës, vajzës së vogël të këngëtares Albërie Hadërgjonaj. Pas incidentit në kufirin grek pak ditë më parë, ku këngëtarja nuk u lejua të shkelte në shtetin helen për një koncert në Athinë, Hadërgjonaj është kthyer në Tiranë dhe ka nisur direkt punën për xhirimet e klipit të saj të ri nga “Max Production”. Po ashtu në të njëjtën kohë po xhiron dhe Angjelina, e cila në daljen e saj të parë do të këndojë një këngë në stilin R and B, të kompozuar nga Enis Presheva me tekst të Big Bastës. Do të jetë këngë me titull “Lexo stilin”, dhe që u drejtohet atyre që kopjojnë stilin e dikujt tjetër. Ky do të jetë klipi i parë i Angjelinës, ndërkohë që do të pasohet nga një klip tjetër me ritme rinore që do të publikohet po brenda kësaj vere. E ndryshe nga Angjelina, vetë Albërie do të realizojë klip me muzikë të ndjerë dhe vargje dashurie. Kjo është bërë jo pa qëllim nga vetë ajo, nisur nga fakti se kohët e fundit ka bërë bujë me baladat e saj të dashurisë. Mbetet kuriozitet në cilin stil do të prezantohet e bija, ndërkohë që shfaqet si një rivale e fortë e bukurisë së të ëmës. Në një intervistë për “Panorama Plus” Albërie ka pohuar se, “ndihet krenare kur i thonë se dy vajzat janë më të bukura se ajo. Ndërkohë që konkurrente në muzikë do ketë vetëm Angjelinën, e cila ndryshe nga vajza e madhe ka shfaqur prirje për muzikën”. Sipas Albëries, “ajo ka një talent të veçantë dhe do të shkëlqejë në muzikë. Hadërgjonaj, e cila ka një axhendë të përhershme me koncerte në diasporë e më tej, tani e tutje do të marrë dhe vajzën në koncertet e saj. Ajo realizon këtë klip pas atij të fundit “Tani me tjetrën je”, një baladë e bukur, muzikën e së cilës e kishte shkruar vetë. Kënga me vargje të Arben Dukës ishte e ndërthurur me melodi popullore nën orkestrimin e Enis Preshevës, me të cilin këngëtarja bashkëpunon për këngët e saj. Kjo këngë përfshihet në albumin e saj me krijime të rrymave të ndryshme si; R&B, pop, turbo folk, etj. Për realizimin e tij ajo ka bashkëpunuar me kompozitorë si; Luan Zhegu e Flori Mumajesi, ndërsa dy krijime janë të vetë asaj.

Incidenti në kufirin grek; kompania e fluturimit i kthen këngëtares paratë e biletës

Pas incidentit të disa ditëve më parë ku këngëtarja e muzikës së lehtë Albërie Hadërgjonaj nuk u lejua të hyjë në Greqi, pasi autoritetet greke nuk i njohën pasaportën kosovare, ajo thotë se për këtë çështje përgjegjësia bie vetëm mbi kompaninë e fluturimit, që i shiti biletën dhe i mori përsipër udhëtimin pa e paralajmëruar për mosnjohjen e pasaportës kosovare nga ky shtet. Hadërgjonaj pohon për “Panorama Plus” se, “kompania më shiti biletën duke më dhënë siguri për njohjen e pasaportës kosovare, ndërkohë që unë u përballa me një pengesë të tillë që s’e kisha provuar asnjëherë më parë”. Kompania i ka kthyer shumën e biletës, ndërkohë që thuhet se ajo do të hapë padi penale ndaj kompanisë së fluturimit për këtë çështje. “Do ta quaja një gabim pa lidhje nga kjo kompani”, tha këngëtarja, e cila ishte nisur të shtunën për një koncert në Athinë, koncert që u anallua pas incidentit. Edhe pse Hadërgjonaj kishte vizë shengen gjermane, nuk është lejuar nga autoritet aeoportuale, ndërkohë që për çështjen e saj ndërhynë autoritetet shqiptare që ndihmuan në përshpejtimin e rikthimit në Tiranë pas 24 orësh pas ndalimit dhe dërgimit të saj në një kamp refugjatësh me somalezë në Greqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›