Nis ndërtimi i segmentit rrugor që lidh rrugët “Elez Isufi” dhe “Ali Gjuzi”
Një rrugë e re do t’i shtohet kryeqytetit dhe që do të mundësojë një cilësi më të mirë jete për 1000 banorë të Njësisë Bashkiake nr. 11. Segmenti i ri rrugor, i cili ndërtohet duke akomoduar një kolektor të ujërave të zeza dhe që do të lidhë rrugën “Elez Isufi” dhe “Ali Gjuzi”, do të ketë një gjerësi prej 10 metrash, me trotuare nga 1.5 m në të dy anët e saj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka parë nga afër nisjen e këtyre punimeve, të cilat kryhen me një investim prej 22. 2 milionë lekësh të Bashkisë së Tiranës.
“Komuniteti në të dy anët e rrugës, prej afro 1000 banorësh do të jetë përfitues i drejtpërdrejtë por kjo rrugë do i shërbejë një lidhjeje më të mirë të afro 12 mijë banorëve që jetojnë në këtë zonë dhe në të ardhmen do të shtrihet deri në Bregun e Lumit të Tiranës, ku siç e dini po përfundon projekti teknik për rehabilitimin e lumit dhe Unazën e Madhe të Tiranës. Përkushtimi ynë është që standardi evropian të ndihet në çdo lagje të Tiranës. Për këdo që mendon se kjo është utopi, duhet të rikthehet këtu në përfundimin e punimeve, të inspektojmë së bashku se çfarë ndryshimi sjell për jetën e qytetarëve, të banorëve të kësaj rruge apo kësaj zone dhe gjithë kësaj lagjeje, zbatimi me të njëjtin përkushtim i të njëjtit standard, si në qendër ashtu edhe në periferi” – u shpreh Kreu I Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.
Projekti i kësaj rruge i cili do të përfundojë brenda 8 muajsh, parashikon vendosjen e bordurave të betonit për kufizimin e rrugës, punime trotuari me pllaka, punime për linjën e ujësjellësit, kanalizimeve të ujërave të bardha, punime për sinjalistikën rrugore, ndriçim etj.
“Në këtë njësi bashkiake ne do të vazhdojmë me investime të tjera, për të mbyllur sadopak atë hendek të madh që ka krijuar diskriminimi i saj dhe për të mundësuar një shpërndarje sa më të drejtë të investimeve në Bashkinë e Tiranës. Natyrisht, nevojat janë të mëdha dhe puna që kërkohet për t’i përmbushur këto nevoja është e madhe por suksesi nuk mund të arrihet brenda ditës. Jemi në rrugë të mbarë dhe do të vazhdojmë në këtë rrugë, duke ofruar rrugë, infrastrukturë, shkolla, kopshte, çerdhe dhe hapësira të gjelbra, të parametrave evropianë, në çdo cep të qytetit tonë”- theksoi z. Basha.