E Diel, 1 Nëntor 2026

ANSA: BE i jep statusin Shqipërisë, flet edhe për hapjen e negociatave

25-09-2012 / Gazeta 55

Agjencia italiane e lajmeve “ANSA” citon një dokument konfidencial të Bashkimit Europian, i cili do të paraqitet si raport formal i progresit më 10 tetorit. Sipas dokumentit, Shqipëria ka bërë një “punë substanciale”, jo vetëm në përmbushjen e reformave për marrjen e statusit të kandidatit, por edhe për hapjen e negociatave për anëtarësimin. Rekomandimi pritet të marrë mbështetjen e liderëve të 27 vendeve të BE-së, në samitin e dhjetorit

Shqipëria jo vetëm do të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian në tetor, por Komisioni për Zgjerim në BE, i drejtuar nga Komisionari Stefan Fyle pritet t’i sugjerojë në progres-raport Këshillit të Europës që të hapen edhe negociatat për anëtarësim në dhjetor.
Një gjë e tillë është bërë e ditur nga Agjencia zyrtare e lajmeve italiane, “ANSA”, e cila ka njoftuar se “Shqipëria po afrohet të jetë një vend kandidat dhe anëtarësim për në BE”. Sipas saj, Brukseli vëren se Shqipëria ka përparuar në reformat integruese dhe “ka bërë një punë substanciale” sipas prioriteteve kyç të Komisionit për Zgjerim. Sidomos miratimi me konsensus i ndryshimeve në Kodin e Reformës Zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE-ODHIR, është llogaritur si zhvillim që ka bërë të mundur të kapërcehej ngërçi politik në vend.
Agjencia prestigjioze italiane e lajmeve “ANSA”, i referohet një dokumenti të Komisionit që është përgatitur dhe do të botohet në 10 tetor, në raportin për zgjerimin e Bashkimit Europian. 
Sipas Komisionit Europian dialogu mes qeverisë dhe opozitës në Shqipërisë ka mundësuar që ngërçi politik, “të tejkalohet me adoptimin e ndryshimeve të reformës elektorale dhe asaj parlamentare”.
Tirana zyrtare, nënvizon dokumenti, ka bërë një “punë substanciale” në respekt të prioriteteve kyç të vendosura nga vetë Komisioni për zgjerim për marrjen e statusit të vendi kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.
Nga 12 rekomandimet e Komisionit për Zgjerim, Shqipëria ka arritur të plotësojë masën kritike, duke tejkaluar pritshmëritë me votimin konsensual të ligjit për kufizimin e Imunitetit për parlamentarët gjyqtarët dhe zyrtarët e lartë. Reformat integruese të qeverisë Berisha 1, 2 janë peshuar në tërësi dhe ekziston mendimi se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është një proces i  pakthyeshëm. Anëtarësimi në NATO ka rritur nivelin e sigurisë në vend duke thithur investime të huaja dhe stimuluar rritjen ekonomike. Lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë në zonën “Shengen” ka bërë të mundur çlirimin e energjive intelektuale dhe ekonomike të vendit.      
Sido që të jetë “pas tre vitesh refuzimit të kërkesës për t’u bërë zyrtarisht vend kandidat në prill të 2009, Shqipëria duket se më në fund është gati për të kaluar provimin në Bruksel, duke marrë më 10 tetor një mendim pozitiv të Komisionit Europian”, thuhet në shkrimin e agjencisë prestigjioze italiane, ANSA.
Kjo agjenci konfirmon se “ky rekomandim do të shkojë drejt në tavolinën e anëtarëve të  Këshillit të Europës në muajin dhjetor, ku do të jenë vendet anëtare që do të marrin një vendim”.
Ndërsa në komentin e saj, agjenci prestigjioze e lajmeve e vendit fqinj, nënvizoi se ndërsa Shqipëria bashkohet me katër vendet e Ballkanit, në pritje janë Turqia dhe Islanda, dhe jashtë Bosnje Hercegovina dhe Kosova.
“Në rast se do të kishte një dritë të gjelbër, Shqipëria do të behet vendi i 5-të i rajonit të Ballkanit perëndimor që do të jetë kandidat për të hyrë në BE, pas Kroacisë (që do të anëtarësohet plotësisht në korrik të 2013), Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Këtyre vendeve iu shtohet Turqia dhe Islanda, ndërsa Kosova dhe Bosnja do të mbeten në sallën e pritjes”, përfundon lajmi.
Sigurisht, ky zhvillim pozitiv për Shqipërinë, përpos reformave integruese në vend, padyshim ka lidhje dhe me rolin konstruktiv në politikën e jashtme për paqe dhe stabilitet në rajon.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›