E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis ndëshkimi i gjyqtarëve që liruan Delijorgjin nga akuza

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka nisur procedimin disiplinor për 12 gjyqtarë, tre prej të cilëve të Apelit Ushtarak të Durrësit, të cilët, në vitin 2005, liruan Mihal Delijorgjin, një nga "arkitektët" e tragjedisë së Gërdecit. Inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë kanë përfunduar kontrollet në Gjykatën e Durrësit për dosjen "Delijorgji", ku janë konstatuar disa parregullsi procedurale. Konkluzioni i KLD-së është: Procedurat e ndjekura nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe e Apelit Durrës ndaj Mihal Delijorgjit, nën akuzat e "falsifikimit të dokumenteve" dhe "evazionit fiskal", kanë pasur parregullsi gjatë procesit gjyqësor. Raporti përfundimtar është depozituar në sekretarinë e Këshillit, në pritje të masave ligjore. Në mbledhjen e radhës, ditën e premte, më datë 24 tetor e në vazhdim, KLD-ja do të fillojë shqyrtimin e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve që kanë gjykuar dosjen ndaj biznesmenit Mihal Delijorgji. "Në fokus të inspektimit, ishin tre gjyqtarë të Gjykatës së Shkallës dhe tre në Apelin Ushtarak të këtij qyteti, Naum Pejo, Ylli Minka dhe Shaqir Gradica", thanë burimet nga Këshilli, duke saktësuar se gabime janë gjetur vetëm nga gjyqtarët e Apelit Ushtarak në Durrës.

Më datë 27 mars 2008, gazeta "Shqip" publikoi skandalin e gjykatave në Durrës, ku bëhej me dije se biznesmeni që merrej me import-eksportin e hekurit, Mihal Delijorgji, është gjykuar në vitin 2004 në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës për "falsifikim dokumentesh" dhe "evazion fiskal". Ai është shpallur i pafajshëm nga Gjyqtarët e Apelit Ushtarak, ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë e Durrësit e kishte shpallur fajtor për kontrabandë me mallra të tjerë dhe e kishte dënuar me 10 milionë lekë gjobë dhe shlyerjen e të gjitha shpenzimeve gjyqësore. Gjyqtarët ushtarakë kanë kërkuar pushimin e çështjes, me konkluzionin se nuk provohen elementet e veprës penale. Gjithashtu, gjyqtarët e Apelit Ushtarak kërkuan edhe rrëzimin e padisë civile në këtë proces penal. Por skandali "Delijorgji" mori përmasa të tjera pas këtij vendimi që përfshin Apelin Ushtarak, i cili ka gjykuar se Delijorgji është i pafajshëm dhe akuzat ndaj tij, puna disavjeçare e autoriteteve doganore dhe atyre hetimore duheshin hedhur poshtë. Ndërkohë çështja "Delijorgji" vazhdon të endet gjykatave shqiptare, pasi ka mbërritur në muajin dhjetor 2007 në Gjykatën e Lartë. Ndërkohë, në mbledhjen që do të zhvillohet të premten, më 24 tetor në Dibër, Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të marrë në procedim edhe nëntë gjyqtarë të gjykatave të rretheve dhe të Apelit në Shqipëri. Lidhur me këta gjyqtarë, konkretisht në Gjykatën e Matit, Sarandës, Tiranës, Elbasanit dhe në Gjykatën e Apelit në Tiranë, Vlorë dhe në Gjykatën e Apelit Ushtarak, KLD ka depozituar kërkesën për procedim disiplinor. "Në raport të arsyeshëm me përgjegjësitë që Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka për shqyrtimin edhe të çështjeve të tjera lidhur me sistemin e drejtësisë, ky Këshill shpreh angazhimin për shqyrtimin në vazhdimësi në çdo mbledhje të tij plenare, të të gjitha kërkesave për procedim disiplinor të ardhura për shqyrtim. Këshilli i Lartë i Drejtësisë garanton zhvillimin e proceseve të rregullta dhe transparente në procedimet në vazhdimësi, lidhur me 12 gjyqtarë" u shpreh Ana Shkëmbi, specialiste e marrëdhënieve me publikun pranë KLD-së. Sipas saj, në shprehje të një qëndrimi të vazhdueshëm aktiv dhe nën nismën e Presidentit të Republikës, ky Këshill, ekskluzivisht për mbledhjen plenare të datës 24 tetor 2008, transferon sallën e takimeve të tij, nga selia në Tiranë, në rrethin gjyqësor Dibër. Kjo nismë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, nën kryesimin e kryetarit të shtetit, synon të shtrihet në të ardhmen, në disa nga qytetet kryesore të Republikës së Shqipërisë.

Emrat që do të procedohen

Mirela Mishgjoni

Murat Lleshi

Rasim Doda

Gjin Gjoni

Nevrije Halo

Enkelejda Kashuri

Taulant Tafa

Shaqir Gradica

Ylli Minka

Naum Pejo

Alaudin Malaj

Meme Rexho


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›