Nis ne terren regjistrimi i fermave

Nis në terren Regjistrimi i Përgjithshëm i Njësive Ekonomike Bujqësore në të gjithë territorin e Shqipërisë. Anketuesit e INSTAT do të trokasin në dyert e 350 mijë familjeve shqiptare të cilat janë të angazhuara me aktivitet bujqësor. Nga data 1 tetor e deri në fund të muajit tetor, do të jenë 3 500 anketues të cilët do të mbledhin informacionin e nevojshëm sipas pyetësorit të ndërtuar nga INSTAT. Ky Regjistrim, si në të gjithë vendet e Europës, kryehet krejtësisht për qëllime statistikore dhe të dhënat individuale të çdo fermeri janë të mbrojtura me ligj.
Regjistrimi i Bujqësisë, është mundësia më e mirë për të mbledhur të dhëna të sakta mbi këtë aktivitet me qëllim ndërtimin e politikave të një zhvillimi të qëndrueshëm të bujqësisë. E them këtë pasi Regjistrimi i Bujqësisë i shërben në radhë të parë vetë fermerëve të cilët janë përfituesit e drejtpërdrejtë të tij.
Regjistrimi i Bujqësisë do të mundësojë krijimin e Regjistrit të Njësive Ekonomike Bujqësore, dhe do të kontribuojë në sigurimin e të dhënave bazë të qëndrueshme në kohë, si demografike ashtu dhe social-ekonomike, në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal. Të dhënat e regjistrimit do të kontribuojnë në përmirësimin e statistikave bujqësore, të cilat do të përdoren nga autoritete qendrore dhe lokale, fermerët shqiptarë, analistët e sektorit dhe nga popullata e gjerë. Rezultatet nga regjistrimi i Bujqësisë 2012 do të luajnë një rol vendimtar në përcaktimin e ardhshëm të ; Programeve të fermave, transportin dhe marketingut të produkteve bujqësore, zhvillimit rural etj. Ndaj dhe Regjistrimi i Bujqësisë është zëri i fermerëve i cili do të ndikojë në të ardhmen e tyre.