E Enjte, 5 Nëntor 2026

Nis pelegrinazhi në Teqenë e Kulmakut

Ka nisur zyrtarisht pelegrinazhi i përvitshëm i besimtarëve bektashinj në malin e Tomorit me kremtimet në Teqenë e Kulmakut. 
Të gjithë besimtarët dhe pelegrinët që i bashkohen kësaj feste të shenjtë në shenjë mirësie bëjnë kurban një qengj për veten dhe familjen. 
Besimtarët ngrenë çadrat e tyre në këtë vend të shenjtë duke kryer jo vetëm kurbanin e festës, por duke ngjitur me këmbë edhe majën e Malit të Tomorit dhe duke kryer ritualet mistike të kësaj ngjarjeje të shënuar. 
Sipas historisë bektashie ata mbërrijnë pas agjerimit 10 ditor të Matemit ku nderojnë sakrificën e dhjetra martirëve që dhanë jetën në luftë kundër jezitit.
Këtë vit si edhe në vitet e tjera përveç pregatitjes nga ana e Kryegjyshatës edhe autoritetet shtetërore kanë marrë një sërë masash për të ndihmuar mbarëvajtjen e kësaj feste, duke vendosur patrulla të policisë rrugore, për të siguruar jetën e qytetarëve. 
Ditët e pelegrinazhit në Malin e Tomorit përfundojnë në 25 Gusht, por kulmi i kësaj feste arrin në datën 22 dhe 23 Gusht. Gjatë 5-ditëve të pelegrinazhit, në Teqenë e Kulmakut dhe pranë varrit kenotaf të Abaz Aliut në pikën më të lartë të Malit, kryhen ritet fetare të festës, ku çdo pelegrin falet për shëndet, mirësi e paqe në familjet e tyre.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›